Hajzer Idrizi kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Klinës
Prishtinë, 1 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Klinë mbajti konferencë për media me çrast publikoi rezultatet e zgjedhjeve të brendshme si dhe shpalli kandidatin për Kryetar të Komunës së Klinës.
Kandidatura për Kryetar të Komunës në Klinë u shpall pasi që të gjithë anëtarët e Qendrës në Klinë patën mundësinë të votonin për kandidatin që mbështesin.
Kandidati ose kandidatja për Zgjedhjet lokale nuk emërohen nga ndonjë organ apo autoritet i Lëvizjes. Ata zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë nga secili anëtarë pasi kanë paraqitur kandidaturën. Kjo sanksionohet në Statutin e Lëvizjes Vetëvendosje! miratuar nga Këshilli i përgjithshëm. Ditën e diel, me 28 korrik, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në mbrëmje, anëtarët e 17 Pikave në Qendrën e Klinës kanë votuar për të zgjedhur kandidatin e tyre për zgjedhjet lokale, sipas parimit një anëtar një votë.
Gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave nuk është vërejtur asnjë parregullsi, si dhe gjatë afatit 24 orësh për ankesat pas publikim të rezultateve, nuk është paraqitur asnjë e tillë në Komisionin Zgjedhor ad hoc të Qendrës.
Në fund, ne si Komision i vlerësojmë zgjedhjet si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën dhe parimet e demokracisë së brendshme të shprehura në Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!. Nisur nga ky konstatim, sot shpallim fitues së këtyre zgjedhjeve të brendshme për kandidat për Kryetar të Komunës në Klinë, Hajzer Idrizi, i cili ka fituar 93.3 % të votave, tha Mirdona Gashi nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
Pas shpalljes nga Komisioni fjalën e mori kandidati për Kryetar të Komunës së Klinës nga radhët e Lëvizjes, Hajzer Idrizi. Ai falënderoi aktivistët e Qendrës në Klinë për besimin që i kanë dhënë, duke shtuar se me punën dhe angazhimin e secilit aktivist e qytetar, do ta udhëheqin Klinën drejt ndryshimeve të mëdha.
Klasa politike e deritashme, pushtetin e ka keqkuptuar si mandat për të sunduar mbi qytetarët pa u brengosur për llogaridhënie. Pushtetarët e derisotshëm fuqinë e tyre politike e kanë llogaritur në bazë të buxhetit të shpenzuar pa kriter, servilitetit të njerëzve të punësuar me konkurse të kurdisura, përqindjeve të fituara nga tenderët e manipuluar, nepotizmit e shantazhimit të njerëzve që nuk mendojnë si ata, tha Idrizi, duke shtuar se suksesi i një qeverisjeje matet me përmirësimin e jetës së qytetarëve të vet, e jo me rritjen e luksit të pushtetarëve.
Përderisa fliste për problemet lokale, Idrizi theksoi se qytetarët e Klinës kanë konsumuar për shumë kohë ujin e kontaminuar në vend të ujit të pijshëm, përkundër premtimeve të vazhdueshme të pushtetarëve se kjo gjë do të rregullohet.
Ujësjellësi, rruga e kanalizimi janë shërbime elementare që duhet ofruar çdo qytetari pa dallim. Këto janë të obligime për çdo udhëheqësi. Prioritetet duhet të renditen në bazë të nevojave të qytetarëve pa dallim, e jo të gjitha projektet të shkojnë në fshatrat dhe lagjet e qytetit prej nga pret votë partia në pushtet, tha ndër të tjera Hajzer Idrizi.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij bëri të ditur se kjo lëvizje deri ka shpallur kandidatët për kryetar komune në Gjilan, Viti, Junik, Rahovec, Ferizaj, Vushtrri, Lypjan dhe sot në Klinë. Klina ka dhënë shumë gjatë luftës, para luftës e pas luftës, mirëpo vazhdon ta karakterizojë papunësia e madhe, korrupsioni i madh dhe mungesa e arsimit dhe shëndetësisë cilësore, tha Kurti.
Ai foli edhe për pasuritë e mëdha nëntokësore të Klinës, duke thënë se që nga fshati Jashanicë e deri në Grapc, e gjithë pjesa nëntokësore ka qymyr. Miniera Boksitet e Kosovës në Volljak, e njohur për eksportimin e mineraleve të boksitit të rrallë në Evropë, ndodhet në mesin e kompanive që u privatizuan me spin-off special.
Boksitet e Kosovës është miniera e vetme e boksiteve në Kosovë, me një sipërfaqe prej 220 hektarëve. E dimë që në vitin 1989, kishte 650 punëtorë, tani as 100, theksoi Kurti.
Duke folur për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes, Kurti tha se përmes saj synohet sigurimi i shtetit të së drejtës, shtetit social dhe zhvillimit ekonomik: Të tria këto çojnë kah mirëqenia e përbashkët shoqërore. Nuk ka rrugë të shkurtra për ti arritur këto përpos kurajës, angazhimit mbarëqytetar dhe bashkimit në Vetëvendosje!.
Hajzer Idrizi është aktivisti i duhur, në lëvizjen e duhur, në komunën e duhur e për qytetarët e duhur. Komuna e Klinës ka mundësi për zhvillim, por nevojitet koncepti i drejtë, programi zhvillimor dhe vullneti i mirë. Që të gjitha këto i ka LëvizjaVetëvendosje!. Që të gjitha këto i ka Hajzer Idrizi.