Hahn premton liberalizimin e vizave, por jo edhe afatin kohor
Prishtinë, 6 nëntor - Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn është shprehur optimist se në fund të këtij viti, Komisioni Evropian do të japë rekomandimin pozitiv për Kosovën në lidhje me liberalizmin e vizave.
Këto komente, Hahn i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Ai ka inkurajuar forcat politike në opozitë të mos bllokojnë punën e Kuvendit, ngase mund të ketë ligje që do të kërkohen për zbatimin e rekomandimeve evropiane, në lidhje me proceset integruese.
Po ashtu, Hahn ka thënë se në Prishtinë është siguruar nga qeveria e Kosovës se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, kurse marrëveshjet e arritura do të zbatohen.
Vizita e Johannes Hahn në Prishtinë, pason nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, një interesim i shtuar në Kosovë mbetet çështja e liberalizimit të vizave në zonën Schengen të Bashkimit Evropian.
\"Duhet ta përsëris që ka disa çështje që kanë mbetur të plotësohen, por kam besim të plotë, duke u bazuar edhe në informatat e fundit se Komisioni Evropian do t\'ia dorëzojë Këshillit Evropian raportin e tij. Ju duhet të mësoheni me faktin se vendimet në Bashkimin Evropian mund të marrin kohë, ngase për liberalizimin e vizave duhet të merret pëlqimi i 28 vendeve\", ka thënë Hahn.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se qeveria i ka proceduar të gjitha detyrimet në lidhje me përmbushjen e kritereve.
Sipas tij, Kosova pret që rekomandimi për liberalizim të vizave të bëhet nga fundi i këtij viti.
Kemi pasur bashkëpunim intensiv me të gjitha ministritë dhe të gjitha rekomandimet do ti arrijmë dhe do ti përmbushim. Prandaj ne presim që Bashkimi Evropian të vendos për rekomandim për liberalizim të vizave, ka thënë Mustafa.
Komisionari i Bashkimit Evropian është pritur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai do t\'i drejtohet me një fjalim edhe Kuvendit të Kosovës.
Gjatë pasdites, Hahn do të qëndrojë edhe në Mitrovicë, ku do të zhvillojë takime me përfaqësuesit lokalë të serbëve të Kosovës.(rel)