Haber kërkon zbatimin e marrëveshjes
Berlin, 20 tetor - Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Emily Haber, gjatë një takimi me zëvendëskryeministren Edita Tahiri në Berlin, ka mbështetur zbatimin e plotë të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka kërkuar zbatimin e saj.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, me çrast ka zhvilluar një varg takimesh me zyrtarë të lartë të Qeverisë gjermane dhe deputetë.
Ajo ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Institutit Aspen dhe seminarin për Kosovën të organizuar nga Akademia Evropiane në Berlin. Në këto aktivitete diplomatike, zëvendëskryeministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga Dren Zeka, këshilltar kryesor, Gazmir Raci, këshilltar politik dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu.
Zëvendëskryeministrja Tahiri është pritur në një takim në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga dr. Emily Haber, sekretare e shtetit.
Në këtë takim, ajo ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale në mes dy shteteve si dhe ka shprehur falënderime për kontributin e Gjermanisë në të gjitha fazat e rëndësishme të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Tahiri e ka njoftuar Haberin për progresin e arritur në Kosovë në realizimin e vizionit euroatlantik, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reformat evropiane në të gjitha fushat, me prioritet për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, që jetojnë në Kosovë.
Tahiri në veçanti, ka vlerësuar rezultatet e arritura në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën si dhe progresin e arritur në rrugën e integrimit në BE dhe NATO.
Vendimi i BE-së për hapjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen Stabilizim Asociim ka një rëndësi të madhe, sepse tashmë zyrtarisht është konfirmuar ardhmëria e sigurt e Kosovës në Bashkimin Evropian, është shprehur Tahiri, duke premtuar angazhimin maksimal të Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve për të punuar drejtë integrimit sa më të shpejtë në BE, NATO, OKB dhe në institucione tjera relevante ndërkombëtare.
Nga ana e saj, sekretarja e shtetit, Dr. Emily Haber ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për nismën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
Haber ka premtuar se Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen e fuqishme për zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe perspektivën evropiane e euroatlantike të saj, duke u angazhuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve në të gjitha fushat relevante.
Ajo ka inkurajuar udhëheqjen e Kosovës që ti vazhdojë angazhimet për forcimin e shtetit dhe perspektivës së qytetarëve të Kosovës, si dhe ka vlerësuar rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjet lokale në Kosovë sipas standardeve demokratike.
Tahiri e Haber, po ashtu, kanë biseduar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Haber ka theksuar se Gjermania e mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit në mes të dyja shteteve dhe ka kërkuar qëndrim konsekuent të palëve në përmbushjen e obligimeve zbatuese.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, po ashtu ka zhvilluar takime të veçanta me deputetët e Bundestagut gjerman: Hans-Joachim Falenski, Kryesues i Grupit Parlamentar CDU për Politikë të Jashtme, Michael Brand, deputet i CDU-së, Roderich Kiesewetter, deputet i CDU-së, dhe Mari-Luise Beck, deputete e Partisë së Gjelbër.
Në këto takime, zëvendëskryeministrja Tahiri i ka uruar deputetët gjermanë për zgjedhjet e suksesshme nacionale në Gjermani dhe fitoren bindëse të partisë së kancelares Merkel si dhe ka vlerësuar lartë kontributin e Bundestagut gjerman për shtetin e Kosovës.
Nga ana e tyre, deputetët kanë shprehur gatishmërinë për ta vazhduar përkrahjen për Kosovën, ndërsa në mënyrë të veçantë kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të sinqertë të Marrëveshjes së Brukselit në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar rëndësinë e normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të asaj pjese në institucionet e shtetit të Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka qëndruar edhe në Ambasadën Amerikane në Berlin, me çrast ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Gjermani, John B. Emerson dhe zëvendësshefin e Misionit, James Melville.
Tahiri gjatë qëndrimit në Berlin ka realizuar një takim miqësor edhe Rita Sussmuth, ish-kryetare e Parlamentit të Gjermanisë, të cilës ia ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.