GSJP: Asociacioni prek strukturën e shtetit të Kosovës
Sipas GSJP, Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi parime të një demokracie kushtetuese, duke reflektuar kështu një model thellësisht evropian të një shteti multietnik dhe një shteti ku legjitimiteti qeverisës buron nga qytetarët (e barabartë, pa-dallim).
Marrëdhëniet ndërmjet etnive në një demokraci kushtetuese ndërtohen në dritën e parimeve ku institucionet qëndrojnë mbi ndasitë etnike, dhe ato nuk përfaqësojnë apo reflektojnë vlera etnikisht të veçuara. Në këtë kuptim, Marrëveshja e 25 Gushtit 2015 në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe bie ndesh me shumë parime kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe vizionit Evropian të shtet-ndërtimit të saj, thuhet në komunikatë.
Sipas GSJP, neni 9 e vesh Asociacionin me mandatin e përfaqësimit ekskluziv të komunitetit etnik serb, gjë që shkon në kundërshtim të hapur me modelin multi-etnik të përcaktuar me Kushtetutë.
Po ashtu, ndër të tjera thuhet se neni 17d e shndërron Asociacionin në një organizatë buxhetore të Republikës së Serbisë, duke e mohuar kështu sovranitetin buxhetor të Republikës së Kosovës, etj.