'Grupi për dialog është degradim, Ligji për dialogun është dokument i turpit'
Prishtinë, 7 mars - Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përmes një reagimi në rrejtin social facebook ka deklaruar se grupi për dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës!
Ky grup sipas tij është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës.
Mustafa Konsideron se Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit.
Platforma e dialogut sipas tij nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion.
"As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008."
"Absurdi qëndron në faktin se Patforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush!", thekson Mustafa.
Dialogu sipas tij duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.
LDK do të inicojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës.
Kjo sipas Mustafes nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë.