Gresa Caka - Nimani merr detyrën e kryetarës së Gjykatës Kushtetuese
Prishtinë, 25 qershor - Me një ceremoni zyrtare të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sot u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërmjet kryetares së deritanishme, znj. Arta Rama - Hajrizi dhe kryetares së zgjedhur, znj. Gresa Caka - Nimani.
Në fjalimin e saj përshëndetës, znj. Rama - Hajrizi foli për sfidat e përballura dhe të arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni, me ç’rast përveç gjyqtarëve falënderoi edhe të gjithë stafin e Gjykatës për bashkëpunimin dhe për punën e tyre të palodhur, duke theksuar se, “vetëm me përkushtimin dhe punën e përbashkët Gjykata arriti të kaloj me sukses të gjitha sfidat, duke filluar me tranzicionin nga përbërja e përzier ndërkombëtare në atë vendore, përmirësimin e dukshëm të kualitetit të vendimeve dhe arsyetimeve të shkruara, rritjen e integritetit dhe respektit të publikut ndaj Gjykatës, dhe çka është më e rëndësishmja, konsolidimin e rolit burimor të Gjykatës, e që është mbrojtja e frymës së Kushtetutës, e sistemit kushtetues dhe e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar të Republikës së Kosovës”.
Tutje ajo rikujtoi se, “përmes vendimeve që kemi marrë jemi vlerësuar si një prej gjykatave më të mira në rajon dhe, si rrjedhojë, kemi arritur të forcojmë bashkëpunimin me gjykatat e tjera, partneritetin me Komisionin e Venecias, bashkëpunimin me Këshillin e Evropës dhe së fundi edhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Në fund, znj. Rama-Hajrizi shprehu bindjen se nën udhëheqjen e kryetares Caka–Nimani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të shënojë suksese të reja në të ardhmen dhe do të konsolidojë edhe më tej praktikën e saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.
Pas pranimit ceremonial të detyrës, kryetarja Caka-Nimani nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ajo gjithashtu vuri theks edhe në nderin dhe përgjegjësinë e saj, që në bashkëpunim me të gjithë gjyqtarët e Gjykatës dhe stafin mbështetës, të kontribuojë në konsolidimin dhe avancimin e mëtejmë të drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.
Duke folur në emër të të gjithë gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Gjykatës, kryetarja Caka-Nimani e falënderoi znj. Rama-Hajrizi për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë mandatit të saj si gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese për dy mandate, në rritjen e standardeve të gjykimit dhe të cilësisë së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në mbrojtjen e pavarësisë institucionale të Gjykatës.
Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani, është tri vjet.