Greqia është e interesuar për stabilitetin e Kosovës
Prishtinë, 18 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumirës shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, ambasadorin Dimitrios Moschopoulos.
Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadorin Moschopoulos për punën dhe angazhimin në përfaqësim të vendit të tij në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat.
Ajo tha se është e rëndësishme mbështetja e Greqisë për Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Ambasadori Dimitrios Moschopoulos duke e falënderuar presidenten Jahjaga dhe qytetarët e Kosovës për mikpritjen tha se gjatë mandatit të tij në Kosovë ka pasur një bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet dhe me shoqërinë e Kosovës.
Ai tha se Greqia është e interesuar për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit, si dhe për ruajtjen e kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet vendit të tij dhe Kosovës.