Gratë të papërfaqësuara në këshillat lokale
FOL ka monitoruar nivelin e implementimit të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale si dhe Udhëzimin Administrativ (MAPL) nr. 02/2019 për Organizimin, Funksionimin dhe Bashkëpunimin e Komunave me Fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane ku në mënyrë të hollësishme është shtjelluar çështja e përzgjedhjes së këshillave lokalë.
Ardi Shatri tha se “sipas udhëzimit administrativ në fuqi, komunat duhet të miratojnë rregullore të reja komunale për rregullimin e këshillave lokale në përputhshmëri me kërkesat e këtij udhëzimi administrativ brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij”.
Shatri tha se “sipas monitorimit të FOL, nga 38 Komunat e Kosovës, 14 komuna (Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Skenderaj, Kamenicë, Hani i Elezit, Lipjan, Klinë, Kaçanik, Viti, Kllokot, Graçanicë) i kanë të publikuara në ueb-faqet e tyre zyrtare versionet e reja të rregulloreve komunale për organizimin dhe funksionimin e këshillave lokal, të cilat janë në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ në fuqi”.
Nga komunat që i kanë publikuar rregulloret e reja, vetëm 2 komuna (Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Pejës) janë duke e implementuar plotësisht rregulloren e re në praktikë, tha ai. Nërkaq, 13 komuna (Deçan, Istog, Dragash, Obiliq, Leposaviq, Rahovec, Prishtinë, Suharekë, Vushtrri, Gllogoc, Podujevë, Gjilan dhe Novobërdë) janë duke funksionuar me rregulloret e vjetra, që nuk janë në përputhshmëri me udhëzimin administrativ në fuqi. 11 komuna (Fushë Kosovë, Partesh, Shtime, Shtërpcë, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Junik, Mamushë, Malishevë, Ranillugë) nuk kanë publikuar asnjë version të rregulloreve.
Sipas Shatrit “komunat të cilat kanë publikuar rregulloren e re komunale në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ janë Komuna e Mitrovicës, Gjakovës dhe ajo e Pejës”, ndërkaq komuna e Podujevës ka treguar se rregullorja gjendet ende në fazën e konsultimit publik”. Ndërkaq, komuna e Gjilanit e ka të publikuar rregulloren e vjetër komunale që nuk është në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ.
Shatri tha se sa i përket statusit të përzgjedhjes së këshillave lokal, sipas të dhënave të dërguara nga zyrtarët përgjegjës të komunave, nga gjithsej 38 Komunat e Kosovës, 18 prej tyre (apo 47 %) i kanë themeluar këshillat lokal të cilat janë duke funksionuar normalisht, 8 komuna (apo 8%) kanë raportuar që këshillave lokale ju ka kaluar mandati, apo se ende nuk janë zgjedhur, kurse 12 komuna (apo 31%) nuk kanë kthyer fare përgjigje rreth statusit të themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal.
Sipas të dhënave të siguruara nga FOL, nga 740 kryesuesit e zgjedhur të këshillave lokal, 733 prej tyre, apo 99% janë burra, kurse vetëm 7 janë gra (përkatësisht vetëm 1%). Komunat të cilët kanë zgjedhur kryetare gra të këshillave lokal janë: Komuna e Pejës (me 3 gra kryetare të këshillave), Komuna e Shtimes dhe Komuna e Prizrenit (me nga 2 gra kryetare të këshillave), tha Shatri.
FOL i rekomandon Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të koordinohet me Asociacionin e Komunave të Kosovës rreth aprovimit të rregulloreve të reja komunale për përzgjedhjen e këshillave lokal, si dhe themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal në përputhshmshmëri me rregulloren komunale, udhëzimin administrativ dhe ligjin për vetëqeverisje lokale.