25 Prill 2024

Gratë për Vetëvendosje! - Marsi sjell pranverën Gratë Barazinë!

Prishtinë, 1 mars - Kryetarja e GVV-së, Albulena Haxhiu, bashkë me anëtaren e kryesisë së GVV-së, Rinë Zhitia, pas një mbledhje pune të mbajtur sot me kryetaret e GVV-së nga Qendrat tona gjithandej vendit, mbajtën një konferencë për media ku shpalosën aktivitetet e organizatës Gratë për Vetëvendosje! për muajin mars.

“Përgjatë marsit përmes aktiviteteve të shumta do të adresojmë çështje që lidhen me të drejtat e grave në pronë, trashëgimi, pasuri të përbashkët, mbështetje me bursa, subvencione, pavarësinë ekonomik të grave përmes punësimit e sidomos ne angazhimin serioz dhe si asnjëherë më parë të dhunës në familje e femicidit si fenomen që po e shkatërron shoqërinë tonë”, tha Haxhiu.

“Do të jemi gjithandej Kosovës në fshatra e lagje, në aktivitete të ndryshme, në takime, tubime, tryeza, konferenca e aksione politike nëpërmjet të cilave do ta bëjmë të qartë se ne si gra jemi bashkë, e bashkë do të adresojmë projekte që do t’iu bëjnë jetën më të lehtë grave e vajzave.”

“Siç e kemi thënë, përveç emancipimit feminist, fuqizimit të grave brenda VV dhe adresimi i politikave feministe, synimi ynë si GVV është rritja e numrit të anëtareve vajza e gra. Prandaj sot përmes kësaj konference dhe në ditën e nisjes së shumë aktiviteteve, i bëj thirrje vajzave dhe grave në komunat e Kosovës, që të na bashkohen në rrugëtimin për drejtësi e barazi.”

Ndërkaq, Rinë Zhitia njoftoi konkretisht për aktivitetet që do të mbahen këtë muaj.

“Kjo javë fillon me aktivitete që kujtojnë dhe nderojnë të gjitha gratë luftëtare të luftës së fundit në Kosovë. Vazhdon me njohjen e kontributit të grave të para profesioniste në vend, veteranet e arsimit, shëndetësisë, artit, dhe aktivistet politike të para dhe pas luftës në Kosovë. Për të dalë më pas te gratë e angazhuara në rastet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe vrasjet e grave.”

“Pra, do të ketë aktivitete të ndryshime që do të shtrojnë diskutimin mbi çështje gjinore. Ne e shohim të nevojshme të flasim për angazhimin dhe kontributin e grave në përparimin e të drejtave të tyre. Ne u detyrohemi grave sepse ato kanë krijuar një bazë për angazhimin tonë të mëtejmë për drejtësi e barazi. Jemi të vetëdijshme për gjithçka që është bërë dhe për gjithçka që ka mbet të bëhet ende. Të frymëzuara nga sakrifica e grave në vendin tonë si aktiviste të LV-së e njohim si detyrë angazhimin e përditshëm për shtyrjen para të kauzës feministe.”

“Si gra duhet të bashkohemi e të angazhohemi për secilën prej nesh. Le të bëhemi bashkë në përpjekjet tona për drejtësi, barazi dhe jetë të dinjitetshme”, tha Zhitia.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)