27 Dhjetor 2024

Gratë kërkojnë përfaqësim dinjitoz në të gjitha institucionet

Prishtinë, 26 shkurt – Grupi Joformal i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, megjithëse përbëhet nga deputete të përkatësive të ndryshme partiake dhe kombëtare, është duke zhvilluar një aktivitet mjaft të gjerë, që ka për synim themelor avancimin e pozitës së gruas në vendimmarrje dhe në shoqëri, por edhe në të gjitha proceset tjera që zhvillohen në vend.

Detyrë parësore e këtij Grupi është monitorimi i zbatimit të ligjeve që kanë të bëjnë sidomos me pozitën e gruas në shoqëri. Në të gjitha aktivitetet e tyre, Grupi Joformal i Grave Deputete po gjen përkrahje e mbështetje edhe nga segmente ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, si: NDI-ja, OSBE-ja, UNDP-ja, instituti “Fridrih Herbert” etj.

Këto ishin disa nga konstatimet e mbledhjes së djeshme të tipit të tryezës të Grupit Joformal të Grave Deputete, të kryesuar nga Flora Brovina, kryetare, në të cilën temë themelore shqyrtimi ishin Raporti vjetor për vitin 2009 i këtij Grupi, si dhe  Plani i Punës për vitin 2010.

Duke diskutuar për këto çështje u tha se me gjithë rezultatet e arritura ,  ende nuk  kënaq pjesëmarrja e gruas në institucione , sidomos në ato kyçe të vendosjes . Gratë deputete nuk ishin të kënaqura vetëm me faktin se me Ligjin e Zgjedhjeve atyre i garantohet 30 përqindëshi në legjislativ.

Ato angazhohen që në procesin zgjedhor gruaja vetë, me votat e qytetarëve, të sigurojë vendin në parlament dhe në kuvendet  lokale, e jo vetëm mbi bazë të kriterit të 30 përqindëshit ajo të zgjedhet deputete edhe me 50, ose dy mijë vota, pra le të zgjedhet ajo  sikurse edhe meshkujt. Shih për këtë gratë deputete kishin ngritur çështjen e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet, por kjo nuk u mor parasysh, ndaj ato kërkojnë aktualizimin e kësaj çështjeje, përkatësisht ndryshimin e këtij Ligji në pajtim me këto synime, pra për një përfaqësim dinjitoz të gruas në të gjitha institucionet e vendit. Gruaja të konkurrojë me punën dhe vlerat që sjell, theksonin diskutueset.

Duke folur për çështjen e barazisë gjinore deputetet shtruan nevojën e shqyrtimit në Kuvend të Programit të Kosovës për barazi gjinore, si dhe funksionalizim të Agjencisë për Barazi Gjinore në aspektin e angazhimit të saj për monitorim e zbatimit të Ligjit mbi barazinë Gjinore.

Në këtë frymë u tha se gratë deputete, pos në monitorimin e zbatimit të ligjit të Zgjedhjeve dhe atij për Barazim  gjinore, do të angazhohen edhe gjatë shqyrtimit dhe monitorimit të të gjitha ligjeve të tjera . Duke përvijuar disa nga detyrat e Planit të ardhshëm u tha se duhet t’ i kushtohet kujdes edhe çështjes së zbardhjes së fatit të të pagjeturve, si dhe shkollimit të femrës, duke luftuar sidomos braktisjen e shkollimit në vitet më te larta nga ana e femrave.

Duke u inkuadruar në këtë debat, drejtorja e NDI-së në Kosovë, Laura Nichols, theksoi se Plani i punës  për vitin  2010  është mjaft përmbajtjesor dhe njëherësh ofroi mbështetje të të gjithanshme për realizimin e tij. “Jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në realizimin e strategjisë dhe të gjitha prioriteteve që do të keni përpara, ashtu si dhe në aspektin e trajnimeve ” , theksoi ajo.

Marije Berisha nga OSBE-ja gjithashtu ofroi përkrahje , sidomos sa i përket organizimit të vizitave të ndryshme në viset me komunitete pakicë dhe në fushën e bashkëpunimit ndërrajonal.

Ajo angazhohej që në të gjitha këto aktivitete të përfshihen edhe pjesëtare nga shoqëria civile. Për disa aspekte të mbështetjes së veprimtarive të Grupit të Deputeteve foli edhe Nazlije Balaj nga  UNDP-ja, sidomos në kuadër të realizimit të Planit Nacional kundër dhunës në familje, ndërsa Besa Shema  nga instituti “Fridrih Hubert” tha se ky institucion do të ndihmojë sa i përket Ligjit të  Punës dhe të atij për Sigurime shëndetësore. 

Të gjitha diskutueset ishin të pajtimit që prioritetet e Planit për vitin e ardhshëm, që u vlerësuan mjaft ambicioze, të përcaktohen sipas afateve dhe të caktohen angazhimet konkrete për secilën deputete.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)