16 Janar 2025

Graf: Zvicra bart një përgjegjësi të lartë në raport me Kosovën

Prishtinë, 2 prill - Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, për vizitë zyrtare në Kosovë po qëndron kryetarja e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës, Maya Graf.

Sot, kryetari Krasniqi i rezervoi znj. Graf një pritje të ngrohtë dhe miqësore, gjatë të cilës u bisedua për zhvillimet në Kosovë, të arriturat e saj dhe me theks të veçantë, për marrëdhëniet që Kosova dhe Zvicra kultivojnë mes tyre.

Duke i uruar kryeparlamentares së Zvicrës mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryeparlamentari Krasniqi falënderoi shtetin dhe popullin zviceran për ndihmën e gjithanshme ndaj Kosovës dhe në veçanti, për qëndrimin parimor ndaj statusit të saj dhe njohjen e shpejtë të pavarësisë.

Kryetari i Kuvendit, çmoi gjithashtu, kontributin e Zvicrës në ruajtjen e rendit e të sigurisë në Kosovë, si dhe ngritjen e kapaciteteve demokratike të institucioneve vendore, nëpërmjet prezencës së saj ushtarake dhe civile.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës i konsideroi të shkëlqyeshme.

“Kjo vizitë dëshmon se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve tona janë shumë të mira. Këto marrëdhënie do t’i vazhdojmë dhe thellojmë edhe më tepër në të ardhmen”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke vënë theksin te bashkëpunimi ekonomik.

Gjatë takimit, kryetari Krasniqi ngriti edhe çështjen sigurimeve shoqërore të qytetarëve të Kosovës në Zvicër, për të cilën shfaqi shpresën se do të gjendet një zgjidhje optimale nga qeveritë e të dyja vendeve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës potencoi sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës aktualisht, me ç’rast, mosnjohjen nga pesë vende të BE-së e konsideroi si një nga pengesat kryesore në rrugën e saj të integrimit.

Kryeparlamentari Krasniqi bëri një përshkrim të përbërjes së Kuvendit dhe mënyrës së punës, me ç’rast veçoi përfaqësimin e komuniteteve pakicë në të gjitha trupat e Kuvendit.

Kryetarja e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës, Maya Graf, ndërkaq, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për ftesën dhe pritjen, theksoi se Zvicra bart një përgjegjësi të lartë në raport me Kosovën, për faktin se atje jetojnë një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova.

Ajo tha se shumica e komunitetit shqiptar është integruar në jetën e përditshme dhe atë institucioneve të Zvicrës.

“Zvicra ka qenë njëra prej vendeve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Andaj kjo na jep edhe më tepër përgjegjësi që ta përcjellim dhe mbështesim tranzicionin në vend, nëpërmjet resurseve tona njerëzore dhe financiare”, theksoi Graf, duke shtuar se gjatë qëndrimit në Kosovë do të vizitojë edhe projektet e përbashkëta që janë duke u realizuar.

Ishte vlerësim i përbashkët i të dy kryetarëve se komuniteti shqiptar në Zvicër paraqet një faktor të rëndësishëm nxitës për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)