Grabovci: Veriu bombë që mund të shpërthejë
Prishtinë, 15 mars - Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka vlerësuar se Serbia me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë ka provokuar rëndë edhe bashkësinë ndërkombëtare.
Ai ka paralajmëruar se veriu është bombë, e cila mund të shpërthejë, ndërkaq ka mohuar zërat e përfaqësuesve opozitarë se qeveria po përgatit axhendë të fshehtë politike për veriun.
Në një intervistë për gazetën Epoka e Re, Grabovci ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të ishte e paligjshme.
Shpallja e zgjedhjeve serbe është një goditje e rëndë që Serbia ia ka bërë bashkësisë ndërkombëtare, ka deklaruar ai. Në këtë kontekst, Grabovci ka thënë se Serbia do ta paguajë shtrenjtë shpalljen e zgjedhjeve lokale në një territor të një shteti tjetër si është Republika e Kosovës.
Ai gjithashtu ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së veriut jashtë pakos së Ahtisaarit do të ishte një bombë e kurdisur, e cila do të mund ta rrezikonte tërë rajonin.
Dalja jashtë Pakos së Ahtisaarit për zgjidhjen e çështjes së veriut do të ishte një bombë e kurdisur, e cila mund ti destabilizojë jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por gjithë rajonin. Gjithashtu, dalja jashtë pakos do të thotë ndryshim i kufijve, që do të prekte të gjitha vendet e rajonit, ka deklaruar Grabovci.