Grabovci: Limaj e Krasniqi, e shkelën Statutin
Prishtinë, 17 tetor - Shefi i Grupit Parlamentarë të PDK-së Adem Grabovci, ka thënë se Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, me votimin e tyre në Kuvendin e Kosovës për pezullimin e privatizimit, duke votuar si Vetëvendosja kanë shkelur statusin e Partisë.
\"Debatin mbi dhe rreth procesit të privatizimi, duhet shikuar më shumë si një pozicionim konceptesh. Dikush ia mbajti kah ekonomia e centralizuar dhe e kontrolluar nga shteti, kurse ne si PDK, dhe të gjithë ata që votuan për vazhdimin e procesit të privatizimit, i takojmë konceptit të ekonomisë së lirë të tregut, ku shteti nuk e kontrollon ekonominë, por krijon politika zhvillimore, e mbështetur në sektorin privat. PDKja qëndron kundër ndërhyrjes në ekonomi dhe burokracisë së madhe shtetërore.\"
\"Pra, ishte një ballafaqim i dy koncepteve: konceptit të moderuar dhe të ekonomisë së lirë të tregut, përballë rrymës ekstreme dhe regresive ultramajtiste:\", ka deklaruar Grabovci për \"Gazetaexpress\".
Ai ka theksuar se PDK gjatë këtij viti do të mbajë kongresin partiak dhe se kushdo që e meriton, mund të jetë kundërkandidat i Hashim Thaçit.
Grabovci, po ashtu ka theksuar se ka ardhur koha që të zyrtarizohet profilizimi i Partisë Demokratike të Kosovës si parti e djathtë.