Gorani: Për asociacionin do të arrihet një lloj kompromisi
Prishtinë, 5 korrik - Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë kanë vlerësuar se lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, palët do të detyrohen të arrijnë një kompromis.
Analisti i çështjeve politike, Dukagjin Gorani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se zgjidhja që do të arrihet ndërmjet kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e Asociacionit, do të jetë në kuptimin e ndërmjetëm, të një organizate joqeveritare dhe të një entiteti, i cili ka kompetenca më të zgjeruara publike.
Sipas tij, kompetencat e tilla që mund të interpretohen si publike, në fakt, ka të ngjarë që të jenë edhe ekzekutive në disa fusha të kufizuara shoqërore.
Qëllimi i çdo procesi negociator është kompromisi, e jo shtyrja e agjendës së njërës po tjetrës palë. Këto që flasin dy kryeministrat, të Serbisë dhe të Kosovës, opinioneve të veta, këto janë pozicione publike dhe punë koti. Meqenëse dita e vendimit po afrohet, deklarimet e tyre, nëse janë në disproporcion me atë që vendoset në Bruksel, atëherë vetëm se do ta vështirësojnë pozitën e tyre. Pra, një lloj kompromisi do të arrihet, konsideron Gorani.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se pala e Kosovës është e gatshme për takimin e radhës me palën e Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel, të nivelit të kryeministrave. Sipas tyre, është në dorën e Bashkimit Evropian se kur do ta caktojë takimin e ardhshëm.