Gjysma e komunave të Kosovës ka rënie të numrit të popullsisë
Ky raport tregon trendin e zhvillimeve kryesore në nivel komunal dhe përfshin fusha si demografia, ekonomia, arsimi, shërbimet publike, çështjet sociale, aspektet buxhetore, të hyrat, shpenzimet dhe borxhet, investimet kapitale dhe qarkullimet vjetore të bizneseve, numrin e bizneseve që regjistrohen dhe mbyllen gjatë viteve, dhe në fund, aspektet e transparencës buxhetore dhe burimeve njerëzore që ka pushteti lokal, në përgjithësi, për secilën komunë veç e veç.
Instituti GAP ka publikuar serinë ‘Letërnjoftimi i Komunave’ që nga viti 2009, të cilat kanë fokusuar zhvillimet kryesore nëpër komunat e Kosovës, duke ofruar të dhëna të krahasueshme ndër vite dhe mes sektorëve.
Bekim Salihu nga GAP ka thënë së raporti i këtij viti tregon se në gjysmën e komunave të Kosovës ka rënie të numrit të popullsisë, në vetëm tri komuna ka rritje të numrit të nxënësve në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm; ka rënie të numrit të popullsisë në skemat e ndihmës sociale; në shumicën e komunave burrat përbëjnë pjesën më të madhe të të punëusarve dhe atyre që marrin buxhetin për paga, etj.
Rënia më e madhe e popullsisë sipas Salihut ka ndodhur në komunat e Kamenicës (-27%), Obiliqit (-20%), Gjilanit (-18%) dhe Vushtrrisë (-13%), Mitrovicës së Jugut (-5%), ndërsa komunat ku numri i popullsisë është rritur janë Graçanica (14%), Fushë Kosova (13%), Prishtina (10%) dhe Prizreni (9%).
Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi ka vazhduar të bie në mënyrë të vazhdueshme.
Në vitin shkollor 2021/22 ishin 134,366 nxënës më pak (apo 30%) krahasuar me vitin shkollor 2008/2009.
Salihu ka theksuar po ashru se rënia më e madhe e numrit të nxënësve ka ndodhur në komunat e Kamenicës dhe Junikut (-53%), Rahovecit, Dragashit dhe Vitisë (-45%), Gjilanit dhe Suharekës (-41%), ndërsa rritje të numrit të nxënësve ka në Fushë Kosovë dhe Novobërdë
Në tryezë morën pjesë përfaqësues të drejtorive komunale nga Komuna e Gjilanit, Kamenicës dhe organizata të shoqërisë civile.
Diskutimet e pjesëmarrësve në tryezë u fokusuan kryesisht në gjetjet e raportit dhe në nevojën e hartimit të planeve konkrete komunale për adresimin e problemeve të evidentuara.