Gjykata Supreme pranon vendimin për ndalimin e eksploatimit të rëres
Prishtinë, 20 shkurt - Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka marrë vendim pozitiv dhe ka pranuar ankesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinorë, dhe ka ndryshuar aktvendimin e saj të mëhershëm, me të cilin ishte paraparë shtyerja e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë për ndalimin e nxjerrjes së rërës nga lumenjtë e Kosovës.
Duke u bazuar në ankesën e MMPH-së, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për shtyerje të ekzekutimit të vendimit, e cila ishtë bërë nga OJQ Zhavorri, nga Leshani, Komuna e Pejës, \"Union Comerc\" nga fshati Vragoc, \"Dakaj-M\" nga fshati Gllaviqicë,\" Ermali\" nga Deçani dhe N.T.N. \"Besniku-Q\" nga fshati Qyshk, Komuna e Pejës.
Kolegji i shkallës së dytë i Gjykatës Supreme pranoi ankesën e parashtruar me kohë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht MMPH-ja, ku ishin paraqitur dëshmitë se vendimi paraprak i datës 13 Janar 2012, ishte vendim jo i plotë dhe i pabazuar në gjendjen faktike.
Kolegji i shkallës së parë kishte miratuar kërkesën e paditësve për shtyerje të ekzekutimit të vendimit. Por, Kolegji i Shkallës së dytë i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka konstatuar se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet nga ana e paditësve dhe rrjedhimisht kuptohet se vendimi i Qeverisë konsiston në ruajtjen e shtretërve, brigjeve dhe hapësirave përreth lumenjëve në gjithë territorin e Republkës së Kosovës.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përshëndet aktvendimin e Gjykatës Supreme dhe siguron se do të jetë e vendosur në zbatueshmërinë e vendimit Qeveritar dhe ligjet tjera të cilat garantojnë interesin publik në Republikën e Kosovës.