Gjykata Speciale pritet te votohet javën tjetër
Gazeta Koha Ditore merr vesh se nga 10 deputetët e PDK-së që nuk i thanë po Speciales, të paktën shtatë prej tyre mund të ndryshojnë qëndrim pas thirrjes së fundit që u ka bërë shefi i partisë. Ky është numër i mjaftueshëm për ti bërë 80 votat e mjaftueshme për tu miratuar amendamenti kushtetues.
Kategorik kundër Speciales vazhdojnë të mbesin Nait Hasani, Ganimete Musliu e Fadil Demaku.
Sipas burimeve të gazetës javën e ardhshme do të dalë në Kuvend edhe një herë votimi i amendamenteve kushtetuese. Paraprakisht qeveria pritet ti riprocedojë amendamentit në Kuvend gjatë kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.
Thaçi ka mbledhur të mërkurën deputetët e partisë së vet, ku merret vesh se përfundimisht ka arritur ti bindë kundërshtarët e Gjykatës Speciale se ajo duhet të votohet.
Pas më shumë se një orë qëndrimi në mbledhje, Thaçi ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media, por iu shmang pyetjeve. Ai nuk ka treguar nëse ka arritur ti sigurojë numrat. Vetëm ka paralajmëruar se Kuvendi nuk duhet të shkojë në pushim pa u votuar Gjykata Speciale.
/Koha Ditore/