Gjykata Speciale nën ombrellën e EULEX-it
Prishtinë, 13 prill - Një tribunal do të shuhet në Hagë, deri në fund të këtij viti. Ndërsa, një tjetër pritet të funksionojë si selia e jashtme e një Gjykate Speciale të Kosovës për krime të luftës.
Ky tranzicion ishte paraparë që nga fillimi i shtjellimit të temës së Gjykatës Speciale, e cila në praktikë do të llogaritet si Gjykatë e Kosovës, dhe jo e Kombeve të Bashkuara, siç është aktualisht i mandatuar Tribunali i Hagës, thotë një diplomat perëndimor.
Holandës i është kërkuar nga Bashkimi Evropian, që Haga të jetë vendi ku do të zhvillohet një pjesë e ndjeshme gjatë proceseve gjyqësore që pritet të iniciohen nga hetimet e bëra nga kryeprokurori i Task Forcës Speciale të Hetimeve, që udhëheq Clint Williamson.
Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo kërkesë është bërë nga Brukseli, qysh para se të merrej vendimi që Prishtina të jetë kryeqendra e Gjykatës Speciale. Holandës i është kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ketë gjykatë aty.
Ndërkohë, e dini se çështja ka evoluar, dhe tani do të ketë gjykatë këtu [në Prishtinë] dhe një aneks diku tjetër, ku dëshmitarët do të rrëfeheshin, dhe ku materiali sensitiv do të ruhej. Për këtë gjë, Bashkimi Evropian ka kërkuar Hagën që të jetë nikoqire e kësaj [gjykate], ka thënë Bosch.
Të premten, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar një letër njoftimi kryediplomates evropiane Catherine Ashton, të cilën e informon për nevojën e themelimit të Gjykatës Speciale, me selitë brenda dhe jashtë vendit, për të adresuar akuzat e ngritura në raportin e Dick Martyt.
Sipas ambasadorit holandez në Prishtinë, Holanda ende nuk ka marrë vendim të prerë për ta bërë Hagën si seli të dytë të Gjykatës Speciale për Kosovën.
Holanda është përgjigjur se marrë parasysh që ne e konsiderojmë Hagën, të jetë kryeqyteti juridik i Evropës, atëherë ne jemi të vullnetit që të marrim në konsideratë këtë kërkesë, sepse ne mendojmë që pretendimet e bëra në raportin e Dick Martyt janë shumë serioze. Ato duhet të hetohen. Nëse sjanë të vërteta [pretendimet], njerëzit munden përmes këtij procesi të shfajësohen dhe të thuhet se ata më nuk janë të fajshëm, është shprehur ambasadori Bosch.
Faktori ndërkombëtar ka intensifikuar përgatitjet për Tribunalin Special për Kosovën, ndërsa ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë themelimin e tij.
Sipas diplomatit holandez, Gjykata Speciale për Kosovën, do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës, por hisedar do të jetë edhe Bashkimi Evropian.
Gjykata është me ligje të Kosovës, por nën ombrellën e EULEX-it. Edhe pse z. [Clint] Williamson ishte në Bruksel, por ai de jure është nën EULEX. Ai punon për EULEX-in. Dhe kështu do të mbetet. Por, gjykata është sipas ligjeve të Kosovës, ka deklaruar ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch