Gjykata Speciale, e pashmangshme
Prishtinë, 21 korrik - Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe Shqipëri, Jan Braathu, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale është një realitet i pashmangshëm.
Ai ka theksuar se Gjykata nuk është kundër UÇK-së e as etnike. Gjykata Speciale është një realitet i pashmangshëm për Kosovën. Tani themelimi i saj po vonohet nga Parlamenti i Kosovës, i cili nuk e miratoi amendamentin kushtetues nr: 24.
Kjo ishte për të ardhur keq, sepse e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Kosovës. Ne duhet të kuptojmë se Gjykata Speciale nuk është kundër kosovarëve ose kundër përpjekjeve për pavarësi të Kosovës. Nuk është kundër UÇK-së si një organizatë. Gjykata Speciale nuk është një gjykatë etnike, ka theksuar Braathu.
Ai ka thënë se është i dëshpëruar me disa në Kosovë.
Më dëshpëron fakti që disa në Kosovë nuk e kanë kuptuar këtë fakt. E gjithë kjo ka të bëjë me drejtësinë. Duhet tu japësh drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre. Drejtësia nuk ka të bëjë me etnitetin, por ka të bëjë me veprimet. Këto aludime duhet të provohen, ka theksuar Braathu, transmeton Ballkanweb. Sipas tij, kjo është një çështje e vështirë, por disa njerëz po e bëjnë atë edhe më të vështirë. Në fund të fundit, pavarësia e Kosovës është projekti ynë gjithashtu. Ne duam që Kosova të bëhet një komb i suksesshëm dhe kjo është rruga. Ne jemi miqtë e Kosovës, jo armiqtë e saj, ka theksuar ambasadori Braathu.