Gjykata Kushtetuese suspendon marrëveshjen për Asociacionin

Prishtinë, 10 nëntor - Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta pranojë kërkesën e Presidentes për interpretim të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për themelimin e Asociacionit.
Gjykata ka vendosur masë të përkohshme - pezullimin e kësaj marrëveshje deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e këtij asociacioni.
Në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme në rastin KO130/15, në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës Lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 [Barazia para Ligjit], Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre parimeve të përgjithshme/elementet kryesore të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës.