Gjykata Kushtetuese hedhë poshtë kërkesën e Vetëvendosjes
Prishtinë, 19 mars - Gjykata Kushtetuese e Kosovës, refuzoi sot një kërkesë të lëvizjes Vetëvendosje e cila kishte sfiduar kushtetueshmërinë e një mocioni të parlamentit në mbështetje të marrëveshjeve me Serbinë.
Sipas njoftimit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi për Rastin KO 05/12, Kontestimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, të 20 janarit 2012.
Bëhej fjalë për një vendim të 20 janarit ku mirëpriteshin marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përmes të cilit Parlamenti shprehte mbështetjen për zbatimin e tyre të tërësishëm.
Në këtë rast, deputeti Visar Ymeri dhe dymbëdhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, parashtruan kërkesën përmes së cilës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, i cili ndër të tjera, mirëpriti marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi e mbështeste zbatimin e tyre të tërësishëm.
Mocioni i 20 janarit shfuqizonte një mocion të miratuar më 7 dhjetor të viti 2011 që e detyronte qeverinë të zbatojë masa të ndërsjella me Serbinë.
Parashtruesit e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kishin theksuar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare dhe konsiderojnë se vendimi i Parlamentit ishte ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare, që kërkonte procedurë të posaçme të paraparë me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi sot që hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme, pasi sic u shpreh ajo, natyra e kërkesës ishte jashtë juridiksionit të kësaj gjykate.
Përplasjet rreth këtyre mocioneve kishin çuar në protestat e lëvizjes Vetëvendosje me 14 janar gjatë të cilave pati të plagosur e të arrestuar si dhe më 22 janar, të cilat kaluan pa incidente.
Nëpërmjet atyre protestave, lëvizja Vetëvendosje synonte të nxiste zbatimin e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë, duke e kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për lëshime ndaj Serbisë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.