Gjonbalaj i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Napolitano
Romë, 19 tetor - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, u prit në Pallatin Presidencial të Italisë, me nderimet më të larta shtetërore nga Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano.
Në një bisedë miqësore, Presidenti Napolitano, në praninë e bashkëpunëtorëve të tij dhe të Ministrit për Çështje Regjionale, Turizëm dhe Sport në Qeverinë Italiane, Piero Gnudi, i uroi mirëseardhje Ambasadores Gjonbalaj duke theksuar se marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe do të thellohen edhe më tej.
Presidenti Napolitano më tej ka shtuar se Italia, si gjithnjë deri më tani, do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Gjonbalaj përcolli përshëndetjet e popullit të Kosovës, Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për Presidentin Napolitano dhe popullin italian.
Duke e falënderuar për rolin e Republikës së Italisë, si në planin shumëpalësh, ashtu edhe në atë dypalësh, përgjatë të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Ambasadorja Gjonbalaj ritheksoi vendosmërinë e Republikës së Kosovës që si një shtet sovran dhe demokratik të vazhdojë rrugën e saj për të qenë anëtare e plotë e familjes së madhe evropiane.
Ambasadorja Gjonbalaj po ashtu ka veçuar angazhimin e shtetit të Kosovës për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe me Republikën e Italisë në të gjitha fushat, duke filluar nga ajo politike, ekonomike, arsimore, kulturore.
Në ceremoni, Ambasadorja Gjonbalaj ishte e shoqëruar nga Këshilltari i Ambasadës, Avni Hasani dhe Konsulli, Petrit Prekazi.