20 Janar 2025

Gjini: Këtë herë hyjmë më të përgatitur

Prishtinë, 9 maj -  Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i cili është edhe shef i Shtabit Zgjedhor të këtij subjekti politik për zgjedhjet parlamentare, ka thënë se AAK-ja si asnjëherë më parë nuk ka qenë më e përgatitur se për këto zgjedhje.


Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai është shprehur i bindur në fitoren e AAK-së më 8 qershor. Ai ka thënë se për herë të parë pas 10 vjetëve listës së AAK-së do t’i prijë lideri i saj, Ramush Haradinaj.

“Mund t’ju them se Aleanca kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për zgjedhje se tani. Kemi disa arsye për këtë. E para, është se prej vitit 2004 deri më tani kemi shkuar në zgjedhje të përgjithshme pa kryetarin Haradinaj. Pra, për 10 vjet kemi qenë pa liderin tonë, ndërsa tani pas 10 vjetëve e kemi liderin këtu.

Arsyeja e dytë është se jemi partia e vetme që dimë çfarë duam të bëjmë dhe cili është boshti i asaj që ne duhet ta implementojmë në Qeverinë e Kosovës. Kemi edhe arsye të tjera, mirëpo po e përsëris se asnjëherë nuk kemi qenë më të përgatitur se këtë herë”, ka thënë Gjini.

Gjini ka thënë se më mirë do të ishte që në këto zgjedhje të shkohet me ligj të ri zgjedhor por, sipas tij, meqë një gjë e tillë është e pamundur, atëherë të gjitha subjektet politike duhet të angazhohen për zgjedhje fer dhe demokratike.

“Na obligon të organizohemi maksimalisht dhe të japim gjithçka prej vetes që zgjedhjet të jenë të lira, fer dhe të ndershme. Pra, për ne është obligim të bëjmë krejt çka është në fuqinë tonë dhe t’i ftojmë edhe forcat e tjera politike, mediet dhe shoqërinë civile, t’i japim Kosovës zgjedhje të lira dhe të ndershme”, është shprehur Gjini.

Sa i përket listës për deputetë, Gjini ka thënë se kërkesë eksplicite e kreut të këtij subjekti politik është që individët që kanë probleme me ligjin të mos futen në listën për deputetë.

Ai ka folur edhe për largimin e Ramiz Kelmendit nga AAK-ja. Sipas tij, largimi i biznesmenit Kelmendi nuk do të paraqesë ndonjë problem. Nënkryetari i AAK-së ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do t’i bashkëngjiten kësaj partie edhe disa figura të reja.

Gjini ka thënë se nuk i frikësohet një bashkëpunimi të mundshëm të PDK-së me LDK-në pasi.

sipas tij, AAK-ja është përgatitur me program, me një listë të mirë të emrave për deputetë dhe ka një lidership të fuqishëm për të dalë partia e parë në zgjedhjet parlamentare. Ai ka thënë se PDK-ja me aleatët e saj duhet të shkojë në opozitë.


“Ne mendojmë se Partia Demokratike e Kosovës me aleatët e saj që ka qenë në pushtet duhet të shkojë në opozitë. Nuk do të ndodhë kurrfarë ndryshimi në Kosovë nëse këto parti riciklohen në pushtet edhe një herë”, është shprehur Gjini. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)