Gjimnazi Skënderbeu kremtoi 28 Nëntorin
Kaçanik, 28 nëntor - Gjimnazi Skënderbeu në Kaçanik, me një program të pasur kulturor artistik e ka shënuar 102 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit Kombëtar, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorin e paraqitjes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para nxënësve, arsimtarëve e mysafirëve të tjera, grupi i aktorëve të rinj të gjimnazit kanë imituar fragmente të shkëputura nga filmi shqiptar Nëntori i Dytë përmes së cilit trajtohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, shpallja e pavarësisë së kombit Shqiptar.
Kryetari i Komunës, Besim I Ilazi ka thënë Festat e nëntorit përbëjnë ngjarjen më të madhe të kombit tonë. Më 28 nëntor mbushen plotë 102 vjet kur plaku i urtë Ismail Qemali në Vlorë shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Sot festojmë edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorin e daljes publike për herë të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa përkujtojmë përvjetorin e 20 të rënies së dëshmorit Ismajl Raka, ka theksuar ai.
Ilazi, me këtë rast edhe i ka uruar festat e nëntorit nxënësve, arsimtarëve dhe gjithë të pranishmëve tjerë.
Për nderë të festës, nxënësit kanë zhvilluar edhe aktivitete tjera diturore e sportive ndërsa fituesit janë shpërblyer me Mirënjohje. Me mirënjohje post mortem është nderuar, tani më i ndjeri prof. Muhamet Shala, për kontributin e dhënë shumëvjeçar si profesor i artit figurativ.