Gjetaj, takon Ambasadoren e Belgjikës, Calster
Prishtinë, 25 qershor - Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, i shoqëruar me bashkëpunëtorë nga Njësia e Komisionit Qeveritar dhe Departamentit të Mjekësisë Ligjore, priti në një takim pune Ambasadoren e Belgjikës, në Sofje, jo rezidente edhe për Kosovë, Anick Van Calster.
Në fillim të takimit, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, falënderojë Ambasadoren Calster, për përkrahjen e pakursyer morale dhe materiale që Mbretëria e Belgjikës është duke dhënë në vazhdimësi në procesin e rëndësishëm të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë, gjatë periudhës së luftës.
Kryesuesi Gjetaj, njoftojë të pranishmit mbi zhvillimit në përgjithësi në procesin e zgjidhjes së çështjes së personave të zhdukur, duke ritheksuar angazhimin dhe përkushtim institucional të Republikës së Kosovës, deri në ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur.
Me theks të veçantë, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet në rastin e Rudnicë- Rashkës, përkatësisht punimet që janë duke u realizuar në këtë lokacion, si dhe angazhimin e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës, që rasti i Rashkës, të zhvillohet në rrjedhën e duhur profesionale. Ku me këtë rast, u vlerësua lart edhe përkrahja dhe interesimi i vazhdueshëm i Mbretërisë së Belgjikës.
Sipas Gjetaj, presim që gjatë këtyre ditëve të përfundojë puna profesionale në lokacionin e parë, në kuadër të hapësirë në varrezën masive në Rudnicë, për të filluar gërmimet vlerësuese në dy lokacionet tjera në atë hapësirë.
Po ashtu, është e rëndësishme që mostrat nga mbetjet mortore të zhvarrosura, të dërgohen sa më parë për identifikim përmes analizës së ADN-së, në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Gjatë takimit, Ambasadorja Anick Van Calster, shprehu falënderimet për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur, duke vlerësuar punën dhe angazhimin në misionin human dhe fisnik të Komisionit Qeveritar dhe në përgjithësi institucioneve të Kosovës, si dhe njëherit shprehu gatishmërinë për përkrahje të mëtutjeshme të Mbretërisë së Belgjikës në këtë proces me rëndësi jetike për familjet dhe mbarë shoqërinë.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe angazhimi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, gjegjësisht Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në përpilimin e Regjistrit Qendror të Personave të Zhdukur, si dhe mundësia për këmbimin e përvojave ndërshtetërore në mes të vendeve që kaluan në tragjedi të ngjashme, në përpjekjen e përbashkët për adresimin dhe trajtimin e duhur të çështjes së personave të zhdukur.