Gjermania vazhdon përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike
Prishtinë, 1 prill - Zëvendësministrja Znj. Liza Gashi priti në takim zyrtar ministren bavareze Znj. Melanie Huml, diskutohet organizimi i një Forumi Ekonomik midis Kosovës dhe Bavarisë .
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Liza Gashi, sot zhvilloi një takim zyrtar me ministren e Landit të Bavarisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Znj. Melanie Huml, ku u diskutua një gamë e gjerë temash politike dhe ekonomike, zhvillimet në rajon dhe Evropë pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Republika e Kosovës ka marrëdhënie të mira me Republikën Federale të Gjermanisë dhe vizita e ministres Huml i kontribuon thellimit të marrëdhënieve midis dy popujve, sidomos pasi që rreth 90,000 pjesëtarë të mërgatës jetojnë në Bavari.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është falënderuese ndaj Qeverisë Federale dhe Qeverisë Bavareze për mbështetje të zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës si dhe mbështetjen e qeverisjes së mirë, e cila është parakusht për progresin tonë. Parku i Inovacionit në Prizren është shembull i mbështetjes tuaj për një Kosovë inovative dhe në hap me kërkesat globale të kohës”, tha zëvendësministrja Gashi.
Një tjetër fushë potenciale për bashkëpunim me Bavarinë dhe investitorët bavarezë sipas znj. Gashi është edhe sektori i energjisë me fokus në energjinë e ripërtritshme me përpjekje të dekarbonizimit të sektorit të energjisë. U përmend që këto investime të mos kufizohen vetëm në fushën e energjisë, por edhe në fusha tjera që të ofrohen mundësi të reja në vendin tonë dhe të lehtësohet shtimi i kompanive bavareze dhe shkëmbimeve tregtare.
Po ashtu, u diskutua edhe bashkëpunimi në fushën e arsimit, duke vënë theksin në bashkëpunimin universitar dhe profesional që mund të shërbejë edhe në forcimin e lidhjeve ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Zëvendësministrja Gashi, pasi shprehu interesim për organizim të një Forumi Ekonomik që do të vendoste kornizat e bashkëpunimit midis dy vendeve, e ftoi ministren Huml që të shqyrtojë mundësinë e hapjes së Zyrës së Përfaqësisë së Bavarisë në Prishtinë. Sipas saj, kjo do të ndihmonte shumë në lehtësimin dhe forcimin e lidhjeve kulturore dhe të ndërmarrësisë mes Kosovës dhe Bavarisë.
Nga ana e saj, ministrja Huml mirëpriti progresin e shënuar nga Republika e Kosovës në të gjitha sferat, premtoi shqyrtimin e mundësisë për të hapur përfaqësinë bavarezë në Kosovë dhe rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit dypalësh. Ajo poashtu u zotua për përkrahjen gjermane të rrugës euroatlantike të Kosovës, dhe theksoi që pret sinjale të mira pas zgjedhjeve në Francë.
Vend të veçantë në këtë takim zuri edhe situata në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë, dhe ndikimi i saj në rajon dhe Evropë. Lidhur me këtë, zëvendësministrja Gashi e njoftoi ministren e Shtetit të Lirë të Bavarisë me qëndrimin e Kosovës për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, si dhe vendosjen e të gjitha sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, të cilat janë miratuar nga Bashkimi Evropian.
Zëvendësministrja Gashi shprehi shqetësimin e saj ndaj refuzimit të Serbisë që të vendos sanksione ndaj Rusisë, dhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu znj. Gashi u shpreh se orientimi properëndimor i qeverisë dhe popullit të Kosovës tregon rëndësinë që ka përshpejtimi për kalimin e rrugës integruese në të gjitha strukturat euroatlantike, në veçanti anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.
E kënaqur me qëndrimin e Republikës së Kosovës karshi situatës në Ukrainë, ministrja bavareze Huml lavdëroi Qeverinë e Republikës së Kosovës edhe për humanizmin e treguar, ofertën për strehimin e gazetarëve dhe refugjatëve ukrainas.