Gjermania premton përkrahje në fushën e ri-pranimit dhe ri-integrimit
Prishtinë, 7 mars - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka pritur në një takim pune një delegacion gjerman, të udhëhequr nga Jörg Geibert, ministër i Brendshëm i Landit Thüringen, si dhe anëtarë të Parlamentit të këtij Landi gjerman.
Ministri Rexhepi falënderoi delegacionin gjerman për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë dhe vazhdon të japë Republika e Gjermanisë për Kosovën, sidomos në fushën e sigurisë, kur dihet se një numër i madh i forcave të KFOR-it janë gjermanë.
Në këtë takim, u diskutua rreth arritjeve të Kosovës në fushat e ri-pranimit dhe ri-integrimit të personave të riatdhesuar, sfidat dhe planet e Qeverisë në avancimin e kësaj agjende shumë të rëndësishme për vendin.
.
Delegacioni gjerman i Landit Thüringen, përgëzoi ministrin Rexhepi dhe Qeverinë e Kosovës në hapat konkrete që kanë ndërmarrë sidomos në fushën e ri-pranimit dhe ri-integrimit dhe premtuan përkrahje dhe ndihmë nga shteti gjerman në arritjen e objektivave që dalin në këtë fushë, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe agjendës evropiane të Kosovës.