Gjermania mbështet perspektivën euro-atlantike të Kosovës
Prishtinë, 14 gusht - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, znj. Edita Tahiri ka pritur sot në takim Ernst Reichel, i dërguar special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, me të cilin ka biseduar rreth zhvillimeve të përgjithshme politike në vend, si dhe për rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fillim të takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve, Kosovës dhe Gjermanisë në të gjitha sferat e bashkëpunimit dhe në këtë kuadër zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen që është duke i dhënë Kosovës në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për rrjedhën e dialogut dhe përparimet në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë që ky proces të përfundojë me sukses dhe sipas dinamikave të parapara.
Ambasadori Reichel mes tjerash tha se Republika Federale e Gjermanisë mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit të brendshëm dhe në atë ndërkombëtar dhe se Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën euro-atlantike të Kosovës.
Ai po ashtu tha se rruga e ndërtimit të fqinjësisë së mirë përmes bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë është parakusht për të ecur drejt Bashkimi Evropian dhe NATO-së.
Reichel theksoi se Gjermania vazhdon të jetë e përkushtuar edhe në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar angazhim edhe më të madh nga të gjitha palët në ketë drejtim, si dhe i vlerësoi të arritura në ketë periudhë nga zbatimii planit të implementimit të marrëveshjes.
Zëvendëskryeministrja Tahiri dhe Ambasadori Reichel u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke shprehur vullnetin e të dyja qeverive për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral diplomatik, ekonomik, politik dhe kulturor.