Gjermania mbështet agjendën evropiane të Kosovës
Prishtinë, 20 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka uruar mirëseardhje në Kosovë si dhe ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin Federal për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Gjatë pritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen dhe konsideratat më të larta të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për kontributin që Gjermania dhe personalisht ministri Westerwelle po japin për të ardhmen e Kosovës dhe tërë rajonit.
Më pas gjatë ditës, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin Westerwelle, ku është diskutuar për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve si dhe për proceset aktuale politike.
Ministri Westerwelle gjatë takimit ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Gjermanisë për Kosovën.
Hoxhaj e ka njoftuar ministrin e Jashtëm gjerman për progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e mëtejshëm të agjendës evropiane.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka folur për avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Gjermanisë në këtë drejtim.
Në këtë kontekst, ministri Westerwelle, ka theksuar përkrahjen e diplomacisë gjermane për përmbylljen e procesit të njohjeve si dhe për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare kryesore.
Hoxhaj dhe Westerwelle diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në zhvillimin ekomomik të Kosovës, me çrast, ministri gjerman i Punëve të Jashtme ka premtuar përkrahje të fuqishme të Gjermanisë në fuqizimin ekonomik të Republikës së Kosovës.