Gjermania lobon që Kosovën ta njohin vendet e BE-së
Prishtinë, 4 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion të Republikës Federale të Gjermanisë, i kryesuar nga Dirk Niebel, ministër për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Në takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe e ka falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës.
Ai e ka quajtur Gjermaninë partnere strategjike të Kosovës, prandaj ka kërkuar nga qeveria e vendit mik dhe ministri Niebel, të angazhohen për njohjen e Kosovës edhe nga pesë vendet e mbetura të BE-së, si dhe për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Krasniqi ka folur, ndërkaq, edhe për përbërjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Ministri gjerman për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Dirk Niebel, duke e falënderuar kreun e Kuvendit të Kosovës për pritjen, është shprehur i kënaqur me numrin e ligjeve të miratuara nga legjislativi i vendit.
Ai ka vlerësuar rëndësinë që kanë për vendin miratimi i ligjeve cilësore, si dhe kontrolli i zbatimit të tyre.
Niebel ka pohuar se Gjermania po bën përpjekje që Kosovën ta njohin të gjitha vendet e BE-së.
Zgjidhja e kësaj çështjeje, ka thënë ministri gjerman, do ta lehtësojë procesin e liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të BE-së, si dhe do ta ndihmojë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ka vend për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.