Gjermania i do vendet e Ballkanit në BE
Prishtinë, 27 gusht- Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler, njëherësh i ngarkuari me punë në këtë ambasadë, ka thënë se Konferenca e Berlinit është një tregues i qartë se të gjitha vendet e Ballkanit do të jenë në BE.
Kiesler, të mërkurën ka mbajtur një takim informues me gazetarë lidhur me Konferencën e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Berlin.
Sipas tij, ideja për një konferencë të tillë ka lindur, pasi që këtë vit shënohet 100-vjetori i Luftës së Parë Botërore, që ka nisur në këtë rajon.
Kiesler ka thënë se në Konferencën e Ballkanit Perëndimor do të jenë dy pika vendimtare për të cilat do të bisedohet.
Pika e parë është bashkëpunimi rajonal. Është shumë e rëndësishme që dialogu politik i Kosovës me Serbinë të vazhdojë. Pika tjetër që është me rëndësi e kësaj konference është zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik, nga të gjitha vendet e rajonit në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, është shprehur Kiesler, duke shtuar se një konferencë e nivelit të tillë është sinjal se e ardhmja e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Synimi i kësaj konference është që të evidentohet gjendja e tanishme dhe të diskutohet mbi mundësitë se si shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së, dhe të shihet në përgjithësi se çfarë përparimesh apo përparësish të ketë rajoni nga kjo konferencë, ka deklaruar Kiesler.
Ai ka thënë se të gjitha shtetet e rajonit duhet të bashkëpunojnë. Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler, ka bërë të ditur se për Gjermaninë është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që Kosova të jetë pjesëmarrëse e të gjitha forumeve dhe organizatave ekzistuese të bashkëpunimit rajonal.
Ai ka folur edhe për agjendën e kësaj konference: Gjatë konferencës do të ketë tri forume të ndryshme, që do të mbahen paralelisht. Ministri i Punëve të Jashtme, Frank Walter Steinmeier do të takohet me ministrat e punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse nga venet e rajonit. Po ashtu, edhe ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel do të takohet me ministrat të cilët merren me çështjet ekonomike nga vendet e rajonit. Pas kësaj do të ketë një seancë plenare, ku do të takohen të gjitha grupet, është shprehur Kiesler.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka thënë se konferenca e llojit të tillë do të organizohet njëherë në vit, deri në vitin 2018. Në vitin 2015 konferencën do ta organizojë Qeveria austriake. Shteti austriak ka shprehur gatishmëri të jetë nikoqire e konferencës të Ballkanit Perëndimor, ka thënë Kiesler.(EPOKA e re)