Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës
Prishtinë, 28 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.
Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin e saj për Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, duke potencuar se ky shtet mbetet një nga partnerët më të besueshëm të vendit tonë.
Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se nuk ka arsye për të vonuar edhe më tutje këtë proces.
Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik e kulturor.
Znj. Osmani poashtu ka theksuar se sundimi i ligjit është parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, dhe e afron vendin tonë më afër Bashkimit Evropian.
Sa i përket procesit të dialogut, Presidentja Osmani theksoi se prioritet për Republikën e Kosovës duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke.
Ajo poashtu potencoi se forcimi i aleancave me shtetet mike është i domosdoshëm për suksesin e vendit tonë.
Nga ana tjetër, Berger i ka shprehur ngushëllime Presidentes Osmani për tragjedinë e së dieles në Kroaci.
Ai e ka vlerësuar pozitive qasjen e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar zhvillim ekonomik dhe përafrim të Kosovës me BE-në.
Sipas tij, Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
Ai, gjithashtu ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe se janë të gatshëm për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve.