Gjermania do të përkrahë Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 30 shtator - Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot një delegacion nga Republika Federale e Gjermanisë, përkatësisht, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillime, të kryesuar nga dr. Leo Kreuz - udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore.
Duke i uruar mirëseardhje delegacionit gjerman, nënkryetari Haliti e njoftoi atë me punën dhe rolin e Kuvendit të Kosovës, si dhe përpjekjen e tij për ndërtimin dhe kultivimin e demokracisë së brendshme, duke faktorizuar opozitën dhe komunitetet pakicë.
Haliti, pasi përmendi përkrahjen pothuajse të vazhdueshme gjermane për Kosovën dhe simpatinë që Kosova gëzon ndaj Gjermanisë, u ndal në praktikën gjermane të funksionimit parlamentar, mbi bazat e të cilit është ndërtuar edhe Kuvendi i Kosovës.
Ai shfaqi nevojën e marrjes së përvojës gjermane, veçanërisht, të kontrollit parlamentar, përfshirë dhe atë financiar, ndaj institucioneve ekzekutive. Nënkryetari i Kuvendit tha se edhe pse Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike po përpiqet ta bëjë punën e tij, ai ka nevojë të mësojë më tepër.
Në këtë funksion, ai përmendi idenë që krahas kësaj, të shikohet mundësia që drejtues të komisioneve e të administratës, të qëndrojnë në periudha më të gjata kohore pranë komisioneve të Bundestagut, për të marrë praktikat e mira gjermane.
Përfaqësuesi i Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillime, Leo Kreuz, pasi e falënderoi nënkryetarin Haliti për pritjen, foli për rëndësinë e parlamenteve në demokracitë parlamentare dhe u ndal në përvojën gjermane.
Ai tha se për gjermanët, parlamenti është njëri ndër institucionet më të rëndësishme të shtetit, por, siç u shpreh, në praktikë nuk është e lehtë ti jepet kuptim kësaj fjale.
Kreuz u fokusua edhe në rëndësinë që parlamenti të ketë mjetet dhe mundësitë për të përcjellë punën e ekzekutivit dhe të ushtrojë funksionin e kontrollit financiar.
Përkitazi me këtë, ai shfaqi gatishmërinë për të ofruar edhe më tutje dhe për ta forcuar përkrahjen gjermane për Kuvendin e Kosovës.