Gjermania dhe Kroacia: Kosova të ketë sistem unik të drejtësisë
Prishtinë, 19 prill - Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, ka pritur sot në takime pune ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach dhe ambasadorin e Kroacisë në Prishtinë Zlatko Kramaric.
Me këtë rast ministri Demolli ka pranuar urimet nga të dy ambasadorët, për zgjedhjen e tij në postin e ministrit të Drejtësisë.
Ministri Demolli e ka njoftuar ambasadorin gjerman Hans-Dieter Steinbach dhe atë kroat Zlatko Kramaric, për prioritetet që ka si ministër i Drejtësisë, duke theksuar si prioritet kryesor eliminimin e sfidave që kanë dalë nga raporti i progresit i Komisionit Evropian, i vitit të kaluar.
Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Hans-Dieter Steinbach ka thënë së shteti Gjerman përveç ndihmës që po e jep për Kosovën me anë të projekteve të ndryshme, ata po kontribuojnë për Kosovën edhe përmes EULEX-it.
Sipas ambasadorit Steinbach, Gjermania është e interesuar që në Kosovë të ketë sistem unik të drejtësisë.
Edhe ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zlatko Kramaric, theksoi se vendi i tij është i gatshëm ta ndihmoj Kosovën në të gjitha fushat ku është e nevojshme.
Në të dy takimet u bisedua edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë, ku të gjitha palët u pajtuan së nënshkrimi i një marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtarë në çështje penale, është i rëndësishëm.