Gjermania dhe Franca nominojnë bashkërisht Selimin
Prishtinë, 24 tetor - Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ambasada e Republikës së Francës kanë nominuar bashkërisht zëvendësministrin e Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, për programin e festimit të përbashkët të 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit dhe 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore.
Zëvendësministri Selimi është ftuar në këtë program të përbashkët të dy qeverive evropiane që ka për synim ti mbledhë liderët e rinj evropianë për të krijuar rrjete të reja politike dhe shtetërore përtej kufijve.
Zëvendësministri i Jashtëm Selimi do të ketë mundësinë të takohet me zyrtarë të lartë të të dyja shteteve, anëtarë të Parlamentit gjerman dhe francez si dhe komunitetin e biznesit dhe kulturës si dhe të marrë pjesë në pjesët formale të shënimit të dy datave historike.
Programi organizohet bashkërisht nga Qeveria gjermane dhe franceze në tri qytete: Berlin, Paris dhe Frankfurt dhe ka për qëllim njoftimin e lidershipit të ri evropian me proceset historike që kanë shënuar historinë moderne evropiane dhe që edhe sot luajnë rol si referenca historike të etablimit të Bashkimit Evropian.