Gjenet e shqiptarëve, unike në Ballkan
Prishtinë, 23 gusht - Shqiptarët janë popull shumë i vjetër dhe kanë gjuhë të veçantë. Përgjatë shekujve kanë ruajtur homogjenitetin.
Dallojnë nga sllavët, derisa kanë ngjashmëri me grekët e para 3 mijë vjetëve. Por, për shkak të zhvendosjeve, migrimeve e martesave, të dhënat gjenetike tregojnë se popujt e Europës, kush më shumë e kush më pak, të gjithë janë kushërinj të largët.
Këto janë rezultatet e një studimi të Universitetit të Kalifornisë për prejardhjen gjenetike, shkruan gazeta Express.
E gjithë Europa është një tollovi e madhe gjenetike. Shumica e popujve në kontinentin e vjetër kanë paraardhës të njëjtë apo të ngjashëm.
Këto ngjashmëri janë evidente së paku përgjatë 1 mijë e 500 vjetëve të fundit. Por, aq sa kanë të përbashkët, disa prej këtyre popujve duken gjithashtu të ndryshëm.
Në këtë grup duket se bëjnë pjesë shqiptarët. Prejardhja e tyre ilire dhe gjuha tërësisht e veçantë nga të tjerët i bën ata goxha specialë.