Gjakovarët protestojnë kundër deklaratave të Jabllanoviqit
Prishtinë, 10 janar - Sot në Gjakovë mbahet tubim protestues kundër ministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Kosovës ndaj deklaratave fyese të këtij ministri kundrejt protestuesve në Gjakovë.
Qytetarët e Komunës së Gjakovës nga ora 14:00 do të mblidhen të protestojnë kundër deklaratës së Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, i cili protestuesit e 6 janarit i quajti egërsira.
Mimoza Shala, organizatore e kësaj proteste, invalide e luftës si dhe asambleiste e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Gjakovës, ka treguar për KosovaPress-in, se prej orës 14:00 do të protestojnë te parku i qytetit në këtë Komunë.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reagojë ndaj ofendimit që Jabllanoviqi u bëri qytetarëve të kësaj komune.
Protesta do të jetë e qetë, ne do të kërkojmë që të reagojë Qeveria e Kosovës ndaj deklaratës së Ministrit i cili u shpreh ashtu. I ka ofenduar protestuesit ku në mënyrë paqësore kanë protestuar, tha ajo.