GGD: Të forcohen mekanizmat ligjorë për të drejtat e gruas
Prishtinë, 8 mars - Grupi i Grave Deputete (GGD) mbajti sot një tryezë me temë:Gruaja në Kosovë dhe qasja e saj në drejtësi, të kryesuar nga Suzan Novoberdali.
Me këtë rast, znj. Jocelyne Talbot nga UNDP foli për rëndësinë e bërjes së ndryshimeve pozitive me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës së gruas në ekonomi, politikë, mirëqenie sociale, arsim, shëndetësi etj.
Ajo gjithashtu u angazhua për forcimin e mekanizmave ligjorë që kanë të bëjnë me implementimin e drejtave të Gruas.
Në vijim deputetja Vjosa Osmani foli për çështjen e vetëdijesimit të grave për të drejtat e tyre.
Përkitazi me këtë ajo tha:Gratë duhet të informohen dhe nxiten që t i kërkojnë dhe të përfitojnë nga zbatimi i drejtësisë ,sidomos kur është fjala për të drejtën e tyre në trashëgimi.
Në tryezë me fjalimet e tyre kontribuan edhe: znj.Tahire Haxholli nga SHPK-ja, znj. Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, znj. Shenaj Berisha nga Zyra e Prokurorisë, znj. Lumnie Krasniqi nga Instituti Gjyqësor dhe Shqipe Ibraj Mala, zëvendëse e Avokate e Popullit.
Nga kjo tryezë u nxorën këto konkluzione dhe rekomandime:
Të forcohet dhe rritet efikasiteti i punës së mekanizmave ligjorë (gjykatat, prokuroritë, policia etj.) për t i implementuar të drejtat e gruas; të trajtohen me ligj gratë e dhunuara gjatë luftës, gjegjësisht të zbatohet drejtësia për këto kategori; të shpejtohen proceset duke thjeshtësuar procedurat për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, sidomos dhunës ndaj gruas; të punohet më shumë në vetëdijesimin e grave për të drejtat e tyre, posaçërisht për zbatimin e të drejtës së tyre në trashëgimi, përfaqësim etj.; të luftohet mungesa e drejtësisë, duke kërkuar zbatim të saj, posaçërisht të akteve, si: Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për Barazi Gjinore, Ligji Kundër Diskriminimit, Konventa CEDAW etj.;t i kushtohet kujdes më i madh trajnimit dhe përgatitjes së gjyqtarëve, prokurorëve, por edhe stafit adekuat policor për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të drejtave të gruas; të punohet më shumë për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-ës, që ka të bëjë me përfaqësimin dhe përfshirjen e gruas në politikëbërje, si dhe në sigurimin strehimoreve të mjaftueshme e në përmirësimin e kushteve në to.