16 Janar 2025

GGD dënon gjuhen denigruese të Hoxhës, Irfan Salihut

Prishtinë, 4 qershor - Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, shpreh indinjatën e thellë për gjuhën denigruese, poshtëruese, fyese dhe të pamoralshme, e cila është përdorur nga hoxhë Irfan Salihu, imam në xhaminë Suzi Zerrini të Prizrenit, ndaj grave të Kosovës.

Ky diskurs nuk mbështetet as mbi vlerat universale që ka krijuar njeriu, as mbi vlerat e besimit islam, e as mbi vlerat kombëtare shqiptare.

Kjo është gjuhë e papranueshme, jo vetëm për gratë, por për çdo qenie njerëzore.

GGD vlerëson se kjo gjuhë denigruese e ka vetëm një qëllim, të helmojë mendjet e besimtarëve me ide të papranueshme edhe për shoqëritë më fanatike; të denigrojë figurën e gruas, nënës, vajzës, ta poshtërojë atë deri në pikën e fundit dhe t’i hapë rrugë nënshtrimit dhe pabarazive shoqërore.

\"Kjo gjuhë e këtij hoxhe, por edhe e disa udhëheqësve të tjerë fetarë në Kosovë është gjuhë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen në Kosovë, në lidhje me unitetin e shoqërisë, mund të shkaktojë përçarje dhe urrejtje\", thekson GGD.

Kosova nuk është një shoqëri me përçarje sektare prandaj secili prej nesh duhet të mbrojë vlerat që i kemi kultivuar me shekuj.

Gjuha e përdorur nga hoxhë Salihu bën thirrje për dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. 

Populli i Kosovës i ka përcaktuar aspiratat e veta me këtë Kushtetutë ku thuhet: “Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.”

Çfarëdolloj  thirrje apo predikimi që shkon në kundërshtim me këto vlera është antikushtetues dhe antikombëtar.

Prandaj Grupi i Grave Deputete kërkon nga Bashkësia Islame e Kosvës të distancohet publikisht nga gjuha e hoxhë Irfan Salihut dhe të sqarojë publikisht nëse ai është i emëruar nga BIK-u.

GGD kërkon nga të gjithë aktorët e shoqërisë dhe institucionet e Kosovës që të dënojnë ashpër gjuhën poshtëruese kundër grave që vjen nga udhëheqes fetarë, të cilët keqpërdorin lirinë e shprehjes brenda institucioneve fetare.

GGD gjithashtu i bën thirrje mediave që të raportojnë me profesionalizëm dhe në mënyrë të balancuar lidhur  me këto raste dhe të mos krijojnë opinione të shtrembëruara në lidhje me përkrahjen që gëzojnë këta persona në shoqëri.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)