Gërvalla pret në takim një grup studentësh nga Universiteti i Vjenës
Me këtë rast ministrja Gërvalla, ka shpjeguar para studentëve angazhimin e Qeverisë së Kosovës në përgjithësi si dhe çështjet e politikës së jashtme në veçanti.
Ajo ka promovuar potencialet dhe karakteristikat e vendit duke veçuar faktin që Kosova si shteti më i ri në Evropë ka edhe popullsinë më të re.
“Ne kemi një rini të zellshme, mirë të edukuar dhe me vizion”, ka theksuar ajo, duke përmendur fokusin e të rinjve të Kosovës në fushën e teknologjisë informative dhe arritjet në këtë drejtim.
Gjithashtu i ka njoftuar se politika e jashtme e Kosovës synon identifikimin gjithnjë e më të fortë të Kosovës me kulturën e saj, si dhe promovimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik të Republikës së Kosovës me investitorë të huaj.
Ministrja Gërvalla i është përgjigjur interesimit të madh të studentëve që të dinë për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimet aktuale në vend, zhvillimet në sektorë specifik dhe mundësitë e promovimit të tyre, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe botën akademike, e shumë çështje të tjera.