Gërvalla kërkon largimin e Isa Mustafes nga kreu i LDK
Prishtinë, 22 gusht - Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe Donika Gërvalla Shwarz.
Ajo ka kërkuar ndryshime rrënjësore në LDK, largimin e kreut të saj Isa Mustafa, dhe se Kryesia e kësaj partie e ka humbur autoritetin tek anëtarët e saj.
Postimi i Donikës në Facebook:
Ky cirk duhet të marrë fund menjëherë
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i papritur për askënd. As për Isa Mustafën dhe LDK-në, as për Hashim Thaçin dhe PDK-në e tij.
Ky cirk duhet të marrë fund menjëherë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për ndryshime rrënjësore për t\'i dalë zot fatit të vendit.
Me Isa Mustafën, LDK tani e tutje, vetëm mund të humbasë. Kryesia e tanishme e LDK-së e ka humbur autoritetin si tek anëtarët e LDK-së, ashtu edhe tek pjesa më e madhe e votuesve. Në këtë gjendje, në të cilën e kanë sjellë drejtuesit e tanishëm, LDK-së i ka mbetur të zgjedhë vetëm mes dy të këqijave: të shkojë me Thaçin dhe PDK-në drejt humnerës, ose të vazhdojë rrugën drejt ndarjes dhe shkatërrimit me Haradinajn dhe Limajn.
Degët, nëndegët dhe aktivet e LDK-së anembanë vendit duhet të takohen urgjentisht dhe të debatojnë rreth kësaj krize dhe rrugëdaljes prej saj, në vend që të ngrenë duart lart dhe të presin nga Prishtina zgjidhje që nuk po vijnë.
Kush bisedon me njerëzit e thjeshtë në Kosovë, dhe këtë privilegj e pata përsëri para pak ditësh, e ka të qartë që me këtë kurs Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme do të humbasë përsëri të paktën gjysmën e votuesve të saj. Është detyrë e të gjithë anëtarëve të LDK-së ta evitojnë këtë në të mirë të Kosovës.