Gërvalla: Grupi i Mustafës, po ia merr frymën LDK-së së Ibrahim Rugovës
Prishtinë, 26 maj - Kryetarja e Degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, thotë se LDK-së i duhet një reformë e thellë.
Sipas saj, nëse dështon LDK-ja, atëherë pushtetin mund ta marrin kriminelët dhe radikalët.
Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i duhet një reformë e thellë si ajri për të jetuar, ndërsa grupi rreth Isa Mustafës, LDK-së së Ibrahim Rugovës po ia merr frymën pak nga pak.
Kështu ka thënë gjatë një interviste për Zërin kryetarja e Degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla.
Gërvalla, e cila u nxor zvarrë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së më 20 maj, ka thënë se LDK-ja aktuale dhe njerëzit e dobët të saj kanë frikë dhe prandaj frikësohen nga kokat e pavarura me argumente të forta.
Sipas saj, prej vdekjes së presidentit Rugova, LDK-ja vazhdimisht keqpërdor statutin e saj. Në këtë frymë ajo thotë se edhe vetë kryetari i partisë, Isa Mustafa, është zgjedhur në mënyrë jolegale.
Ndërkohë sa i përket incidentit që ndodhi më 20 maj, Gërvalla thotë se ata persona asnjëherë nuk do të guxonin ti preknin asnjë fije floku dikujt nga i cili do të llogarisnin reagime të dhunshme.
Ajo më tutje zbulon se pavarësisht tentimit që disa herë të takohet me Kryesinë Qendrore të LDK-së, ata nuk kanë pranuar.
Ndërkohë akuzon rëndë edhe Ismet Beqirin, siç thotë ajo, si një person pa kurriz. /Zëri/