03 Maj 2024

“Germia Hill” tubon mbi 100 diplomatë nga e gjithë bota

Prishtinë, 17 nëntor - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi me rastin e fillimi të konferencës “Germia Hill” që do të mbahet me 18 dhe 19 nëntor në Prishtinë, ka mbajtur një konferencë për medie ku ka shpalosur hollësitë dhe qëllimin e kësaj konference.

Zv/ministri Selimi tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme (ECFR) dhe me përkrahje të Këshillit Britanik dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe gjatë tre ditëve të ardhshme pret numrin më të madh të mysafirëve që kanë ardhur ndonjëherë në Kosovë për një konferencë të këtillë.

Ai nënvizoi se qëllimi i kësaj konference është sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit duke përdorur si mjet diplomacinë publike, me të cilën Republika e Kosovës synon ta përforcojë  prezencën e saj në Bruksel  dhe  në kryeqytetet e shteteve që nuk e  kanë njohur ende. 

“Jemi krenar që në Kosovë për herë të parë do të organizojmë një konferencë me mbi 100 pjesëmarrës nga mbarë bota, përfshirë ministra të punëve të jashtme, zv/shefa të shtatmadhorisë ushtarake, ekspertë të shoqërisë civile, gazetarë, përfaqësues të medieve të famshme botërore, të cilët do të mblidhen në Kosovë për dy ditë dhe do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane”, theksoi Selimi.

Ai shtoi se Kosova është përdorur si platformë për këtë tubim të madh diplomatik, edhe përkundër shumë vështirësive evropiane ku në agjendat e tyre janë ngjallur debatet për integrimet, euron dhe problemet e mëdha të politikës ndërkombëtare, të cilat kanë bërë që Ballkani të mënjanohet sadopak nga agjendat e tyre.

“Jemi të kënaqur që fillimisht të jemi pjesë e debateve e të mos rrimë në margjina si gjithmonë dhe Kosova të jetë e pranishme edhe ne këtë kohë shumë të vështirë evropiane”, theksoi Selimi, duke shtuar se Kosova synon që përmes kësaj konference të jetë  pjesë esenciale e këtyre bisedave.

Në anën tjetër, Arjeta Emra, drejtoresh e Këshillit Britanik në Kosovë tha se kjo konferencë është pjesë e projektit i cili MPJ, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe Këshilli Britanik e kanë filluar në korrik të këtij viti.

“Është formuar një fond i cili përdoret për ta promovuar Kosovën në sferën e diplomacisë publike. Për herë të parë mbahet një forum i këtij niveli dhe i kësaj pjesëmarrje, çfarë do të jetë nesër e pasnesër në bashkëpunim më Këshillin Evropian për Punë të Jashtme (ECFR)  e cila është njëra prej organizatave më të rëndësishme në nivelin evropian”, tha Emra. Ajo tha se kjo konferencë është në vazhdën e aktiviteteve të diplomacisë publike që ka filluar të ndodhin që nga shtatori i këtij viti.

Sipas saj, para 10 ditëve është mbajtur edhe një konferencë tjetër e cila ka sjellë në Kosovë 20 pjesëmarrës të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën në kuadër të BE-së.

“Vazhdimi i projektit do të sjellë edhe vizita në shtetet përkatëse. Arsyet pse kemi filluar me aktivitetet në Kosovë së pari është se kemi menduar se është më mirë që përfaqësuesit e këtyre shteteve, duke filluar nga qeveritë, mediet, shoqëria civile, është që ata të vijnë në Kosovë dhe të informohen për situatën në Kosovë para se ne të fillojmë me aktivitet nëpër vendet e tyre”, theksoi Emra.

Konferenca që do të mbahet të premten dhe të shtunën do të organizohet së bashku më Këshillin Evropian për Punë të Jashtme (ECFR) e cila është njëra prej organizatave më e famshme të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Evropë.  Anëtar të kësaj organizate janë kryetar shtetesh, ministra të punëve të jashtme, Marti Ahtisaari dhe financues si George Sorros. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)