Gërbeshi përsërit kërkesën për dorëheqjen e ministres Kusari-Lila
Prishtinë, 30 gusht - Seanca e parë e sesionit të ri vjeshtor të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur serish me akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës.
Interpelanca e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për tarifën e çimentos e lënë përgjysmë në seancën e fundit të sesionit pranveror, është hequr nga rendi i ditës në seancën e parë të sesionit vjeshtor.
Vendimi për tarifën e çimentos, është shfuqizuar javë më parë, por kërkuesi i kësaj interpalence, Emin Gërbeshi, kërkoi që të vazhdohet me këtë pikë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e ministres Kusari-Lila.
Ai tha se duhet të jepet llogari për këtë vendim, ngase një vendim i tillë përveç efekteve ekonomike, prodhoi edhe efekte politike, sepse u mor në kohën kur shkëmimi tregtar me Shqipërinë po rritej.
Kemi kërkuar shkarkimin e ministres dhe e kërkoj edhe tani, sepse viktimë e këtyre interesave përsëri ishin qytetarët e Kosovës, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se edhe pse vendimi është shfuqizuar, dikush duhet të jap përgjegjësi.
Ai e quajti të paprecedent, seancën e fundit, kur Kuvendi ndërpreu punimet për shkak se deputetët e PDK-së shkaktuan mungesë kuorumi.
Nuk do të dëshironim më të përsëritet dhe ka qenë shembulli më i keq që këtë di ta bëjë vetëm ky kuvend, gjegjësisht ky koalicion, e që i ka prirë ministrja, e cila e pash një deklaratë të saj dhe vërtetë po i them se AKR-ja kurrë nuk mund të jetë si LDK-ja, pajtohem me të plotësisht, tha Beqiri.
Beqiri me këtë deklaratë, po ashtu iu kundërpërgjigj ministres Kusari-Lila, e cila në një intervistë ka thënë se AKR-ja asnjëherë nuk do të bëhet si LDK-ja që të largohet nga koalicioni dhe ta fus vendin në krizë.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani, i është kundërpërgjigjur Beqirit, duke ia rikujtuar bllokimin e reformës zgjedhore.
Ka mundësi që qytetarët ta vlerësojnë cili subjekt është ai që i ecë proceset në Kosovë, e cili subjekt është ai që i stopon proceset në Kosovë, tha ajo.