Gazetarë dhe shoqëria civile nga Egjipti vizitojnë Kosovën
Prishtinë, 14 korrik 2011 - Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, një delegacion i gjerë i gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile nga Egjipti, do të qëndrojnë për vizitë tre ditore në Kosovë.
Delegacioni i shoqërisë civile dhe medieve egjiptiane, gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të pritet në takime nga udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës, do të vizitojë disa qytete dhe zona të rëndësishme historike të vendit tonë, si dhe do të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga asociacione të shoqërisë civile kosovare.
Organizimi i vizitës së delegacionit të përfaqësuesve të medieve dhe shoqërisë civile egjiptiane në Kosovë, është pjesë e diplomacisë publike dhe e aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Lobim për Njohje të Republikës së Kosovës, me qëllim të avancimit të procesit të njohjes së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë dhe thellimit të komunikimit të Kosovës me publikun e shteteve kyçe.
Vizita e delegacionit të gjerë egjiptian në Kosovë, pritet të ketë efekte të rëndësishme në avancimin e qëndrimit të opinionit publik dhe elitës politike në Egjipt, sidomos pas ndryshimeve demokratike të muajve të fundit, karshi njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Njëkohësisht, njoftojmë mediet se Instituti KIPRED organizon një tryezë të rrumbullakët debati me aktivistët dhe gazetarët egjiptianë, të shtunën në ora 09:30.