Gaxherri: Ska kthim prapa
Prishtinë, 18 gusht - Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, ka thënë se çdo ditë e humbur për krijimin e institucioneve të reja është e dëmshme për shtetin e Kosovës.
Në këtë intervistë për Epokën e re, ajo ka thënë se PDK-ja duhet ta shohë realitetin, pasi në demokraci vendos shumica. Sipas saj, tashmë çdo gjë është e qartë, se qeverinë do ta formojë koalicioni LDK-AAK-Nisma, ndërsa PDK-ja do të mbetet në opozitë. Edhe kjo vonesë që është duke ndodhur prej qershorit, është një veprim shumë i dëmshëm për vendin dhe krejtësisht i paarsyeshëm. PDK-ja në këtë rast duhet ti thërrasë arsyes, ta shohë realitetin sepse në demokraci vendos shumica.
PDK-ja duhet të shkojë në opozitë dhe koalicioni paszgjedhor ti formojë institucionet e reja sa më shpejt, ka deklaruar Gaxherri.
Ajo është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke thënë se rezultati do të ishte i njëjtë po të mbaheshin edhe 100 palë zgjedhje të tjera.
Edhe po të mbahen zgjedhjet, do ta kemi të njëjtin rezultat. Prandaj nuk kemi nevojë të humbim më shumë kohë, ka theksuar Gaxherri, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese duhet sa më parë të dalë me vendim në mënyrë që Kosova të bëhet me institucione të reja.
Çështja është shumë e thjeshtë. Shumica në demokraci merr vendim dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Gjykata Kushtetuese ka Kushtetutën dhe ka shumë modele të njëjta në shtetet e rajonit dhe në Evropë që ka ndodhur e njëjta gjë, sikurse që është sot në Kosovë. Prandaj kisha pasur dëshirë të thirret në këta shembuj, në ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe sa më shpejt të japë një mendim dhe disa sqarime në mënyrë që pastaj të ecim tutje dhe ta formojmë qeverinë, ka thënë Gaxherri.