Gashi, vizitë në Bundestag
Berlin, 14 shkurt - Kryetari i Demokracisë Sociale të Kosovës (DSK), Begzad Gashi po qëndron për një vizitë disaditëshe në Bundestagun gjerman. Ai do të ketë takime me personalitete të larta të këtij shteti.
Kryetari Gashi gjatë kësaj vizite do të fokusohet në zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë vit. Ai, gjithashtu në takimet që do të ketë me personalitetet gjermane në Bundestag do të kërkojë ndihmën e shtetit gjerman për proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si dhe do ta kërkojë përkrahjen për DSK-në. Lideri i DSK-së në këto takime do të shtrojë nevojën që Kosova dhe Gjermania të thellojnë bashkëpunimin në fushën e politikës dhe ekonomisë, është thënë në komunikatën e DSK-së.
Kryetari Gashi gjatë kësaj vizite në Bundestag do të diskutojë edhe për misionin e EULEX-it në Kosovë. Ai e vlerëson të nevojshëm vazhdimin e mandatit të EULEX-it, pasi ka shumë ngecje në sundimin e rendit dhe ligjit. Kryetari i Demokracisë Sociale të Kosovës (DSK), Begzad Gashi e konsideron të domosdoshëm ndihmën e shtetit gjerman në përkrahjen e shtetndërtimit të Kosovës, duke e vlerësuar që prania e Gjermanisë në Kosovë të jetë më e fortë dhe e gjithanshme, në veçanti rreth investimeve, është thënë në komunikatën e DSK-së.