Gashi: UNMIK ka qasje destruktive ndaj Kosovës
Prishtinë, 21 tetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi sot në një takim njoftues takoi përfaqësuesin e ri të UNDP, Andreë Russell.
Ministri Gashi njoftoi z. Russell rreth bashkëpunimit dhe mbështetjes që i ka dhënë UNDP Kosovës, në rrafshin e mbrojtjes së mjedisit, zonimit të parqeve kombëtare dhe asistencës së dhënë në implementimin e ligjeve për zonat e veçanta të mbrojtura.
Mgjithatë, Ministri Gashi kërkoi nga UNDP që zyra e UNMIKut në Kosovë të heqë dorë nga qasja destruktive që po mban ndaj Kosovës, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në shumë konventa ndërkombëtare.
Përveq bllokimit të drejtpërdrejtë në anëtarësim në këto konventa, sipas Gashit, UNMIK po e bllokon edhe pjesëmarrjen e delegacioneve nga shteti i Kosovës në konferenca ndërkombëtare, duke kushtëzuar pjesëmarrjen me përfaqësimin nën ombrellën e rezolutës 1244.
Për këtë arsye, MMPH ka refuzuar ftesat për shumë konferenca të rëndësishme botërore në fushën e mjedisit, kështu duke mbetura prapa vendeve të rajonit në përpilimin e strategjive, ka thwnw Gashi, duke shtuar se pas njohjes nga 105 shtete anëtare të OKB, shteti i Kosovës meriton një trajtim më konstruktiv.
Përfaqësuesi nga UNDP, z. Russell tha se pas ardhjes së tij në Kosovë, e ka kuptuar më mirë pozitën e Kosovës, duke shtuar se nuk është aspak e drejtë që për arsye të një procesi të vazhdueshëm politik, Kosova të mos mund të ketë qasje të barabartë në programet e OKB.
Ai tha se në fushën e mjedisit duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse rajonale e botërore dhe premtoi ndihmën nga organizata që ai përfaqëson në lehtësimin e anëtarësimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në konventat e OKB.