Gashi: Shpendi është dashur të marrë pjesë në përurimin e fabrikës
Prishtinë, 4 qershor - Ministri në detyrë i Mjedisit, Dardan Gashi, i cili gjatë mandatit të tij ka bërë rrëzimin e shumë vilave pa leje në Prevallë, ka thënë se do të respektohet në tërësi Ligji për ndërtime, në ketë mes edhe në rastin e nisjes së ndërtimit të fabrikës së kërpudhave në Prishtinë, që ka qenë premtim i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Gashi gjatë një interviste për gazetën Tribuna, ka kritikuar qasjen e kreut të Prishtinës Shpend Ahmeti. Sipas Gashit, Ahmeti është dashur të gëzohet që po hapen vende pune dhe jo të kërcënojë me rrënime.
Unë mendoj se nëse një investitor vjen në Kosovë dhe në qytetin e Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte dashur të jetë aty në përurim edhe të gëzohet që Prishtinës po i zvogëlohet papunësia, ka thënë Gashi.
Mirëpo ai ka sqaruar se edhe në rastin e fabrikës në fjalë do të respektohen të gjitha procedurat e kërkuara për ndërtim.
Parimisht çka fillon të ndërtohet pa leje është kontestuese. Unë sa e di aty është vënë vetëm gurë themeli dhe njëkohësisht janë dorëzuar të gjitha dokumentacionet për leje. Ne me ligjin e ri të ndërtimit i kemi detyruar komunat që brenda afatit prej 30 ditësh maksimum 45 ditë ti përgjigjen kërkesave për leje, nëse jo atëherë konsiderohet se leja është dhënë, ka thënë Gashi.
Kandidati për deputet në listën e AKR-së insiston se fabrika e kërpudhave do të ndërtohet në tërësi dhe me leje.
Unë insistoj pra në atë se ligji duhet të respektohet, mirëpo duhet të mendohet që ky projekt ka pasur të fillojë shumë kohë më parë në Mitrovicë, por atje është penguar nga niveli qendror, ndërsa tash këtu po pengohet prej nivelit komunal. Ndërtim pa leje nuk do të ketë por ju garantoj se fabrika do të nderohet në bazë të ligjeve në fuqi, ka deklaruar ai.
Gjatë kësaj interviste ai ka thënë se AKR po shënon rritje të madhe në terren dhe për këtë deklaroi se ndihet i befasuar, ndërsa kalimin e pragut pohon se nuk e vënë në diskutim, duke u zotuar se AKR do ta kthejë elektoratin që e ka pasur në zgjedhjet e vitit 2007.
/Tribuna/