16 Janar 2025

Gashi: Pragu zgjedhor të mos jetë më i lartë se 3 %

Prishtinë, 19 shkurt - Kryetari i Partisë Demokracia Sociale e Kosovës (DSK), Begzad Gashi, ka thënë se pragu zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë 2.5 për qind.

Në një prononcim për “Epokën e re”, Gashi ka thënë se ulja e pragut zgjedhor do t’u mundësonte hapësirë edhe partive të vogla për të kontribuar në proceset politike dhe ekonomike në vend, nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në Kuvendin e Kosovës.


“Demokracia Sociale e Kosovës vlerëson se pragu zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme duhet të ulet në 2.5 për qind.

Ulja e pragut zgjedhor në 2.5 për qind do t’u ofronte hapësirë edhe subjekteve të tjera politike në Kuvendin e Kosovës. Në vendet me demokraci të zhvilluar rekomandohet që pragu zgjedhor të mos jetë më i lartë se 3 për qind”, ka thënë Begzad Gashi.

 
Ai ka thënë se Demokracia Sociale e Kosovës kërkon që në zgjedhje të mos ketë komisionarë.

“Sikurse në të gjitha vendet e BE-së ashtu edhe në Kosovë zgjedhjet te monitorohen nga zyrtarët shtetërorë, ne në fakt kemi KQZ-në, por jo që të jenë pjesëmarrës edhe komisionerët e partive politike.

Arsyeja është kjo: për të gjitha dobësitë apo falsifikimet, përgjegjësia bie mbi zyrtarët, të cilët dënohen dhe përjashtohen nga puna.

Ndërsa në Kosovë komisionerët po dënohen me nga 300 euro apo me së shumti 30 ditë burg, këtë do ta bënte secili komisioner i cili paguhet dhe mbrohet nga partia. Pra, ne si subjekt politik vlerësojmë se zgjedhjet të udhëhiqen nga zyrtarët e institucioneve shtetërore, pasi ata do ta kenë frikën edhe të dënimit, por edhe të humbjes së vendit të punës”, ka thënë Gashi.


Gashi ka thënë se DSK është duke e shtrirë aktivitetin e saj në gjithë territorin e Kosovës.

“Sigurisht se jemi parti e re dhe jemi në konsolidim e sipër. Programi i DSK-së dallon nga partitë e tjera për faktin se ne synim kemi ta ngjallim shtresën e varfër.

 Kemi një program shumë të mirë social, me të cilin do të mbrojmë këtë shtresë. Çështje urgjente për partinë tonë janë edhe reformat në sektorin e shëndetësisë. Ky sektor ka mbetur i lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Gashi, duke besuar se DSK në zgjedhjet e ardhshme do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)